Arrestimet në Universitetin Bujqësor, Rama: 24 masa sigurie pa gjyq, rektori do dëgjohet nesër nga grupi i PS-së
Grupi parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë nesër në orën 09.00 me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masat e sigurisë të vendosura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “janë 24 masa sigurie pa gjyq për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë”.
Kryeministri Rama, njëherësh kryetar i PS-së theksoi se “vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht”.
Rama nënvizoi se “jemi në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë 2030”.
“Nesër në 09.00 live nga godina e Kuvendit”, u shpreh Rama.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtrirë hetimet edhe në strukturat universitare.
Mediet raportojnë se me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lëshuar 24 masa sigurie për stafin e Universitetit Bujqësor Tiranë.
Sipas raportimeve, janë ekzekutuar nga policia masat e sigurisë për 5 persona “arrest me burg”, “arrest në shtëpi” për 10 persona si dhe për 9 të tjerë “detyrim paraqitje”.
Personat e vënë nën hetim dhe për të cilët janë ekzekutuar masat e sigurisë, akuzohen për shpërdorim detyre, abuzim në detyrë dhe për korrupsion.
Fraksion.com