Vengu: Anijet e Rojes Bregdetare, rol kyç në mbrojtjen e hapësirës detare
Anijet e Rojes Bregdetare të Forcës Detare luajnë një rol kyç në mbrojtjen e hapësirës detare të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu solli sot në vëmendje rëndësinë e misionit të Forcës Detare, ndërsa ndau dëshmitë e kapitenëve Arjanit Demçe dhe Ilir Nezha, kapterrit Artan Kojtari dhe rreshterit Kujtim Voci, të cilët flasin për angazhimin e tyre të përditshëm në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe kundër trafikut të paligjshëm.
Vengu theksoi se misioni në Detin Egje konfirmon gatishmërinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të eksportuar siguri përtej kufijve tanë.
“Sakrifica e djemve dhe vajzave të Rojes Bregdetare janë një shembull frymëzues për të gjithë ne. Kapitenët Arjanit Demçe dhe Ilir Nezha, Kapterri Artan Kojtari dhe Rreshteri Kujtim Voci janë profesionistët që sigurojnë monitorimin dhe patrullimin në ujëra të qetë e të trazuar, shpëtimin e jetëve dhe luftën kundër trafikut të paligjshëm”, u shpreh Vengu.
Kapiteni i anijes “Iliria” Ilir Nezha tregoi se detyra kryesore është ruajtja e hapësirës sonë detare dhe zbatimi i ligjshmërisë në det.
Ndërsa Komandanti i Grupit të Anijeve Patrulluese (DDV) Kapiten i rangut të III, Arjanit Demçe solli në vëmendje se anijet e forcave detare të Rojes Bregdetare kanë kryer misione të ndryshme.
“Aktualisht edhe tani që po flasim një anije e forcës detare dhe Rojes Bregdetare ndodhet në mision në detin Egje ku kryen detyra të rëndësishme për sa i përket trafikut të paligjshëm dhe ardhjes në ndihmë të emigrantëve”, tha Demçe.
Ai solli në vëmendje disa prej misioneve kryesore të ndërmarra ndër vite si shpëtimi i mbi 25 emigrantëve që vinin nga vendet e lindjes që donin të kalonin për në Itali por edhe përplasjen e tragetit me një anije tregtare turke, që ka ndodhur disa vite më parë.
“Forcat detare, Roja Bregdetare mori përsëri pjesë në këtë mision shpëtimi, sepse ai është misioni dhe detyra kryesore e forcave detare dhe Rojës Bregdetare, shpëtimi i jetës së njerëzve në det”, tha ai.
Fraksion.com