AktualitetTë fundit

“Më tha ndyrësirë”, Veliaj reagon pas deklaratës së SPAK dhe GJKKO: Të publikohet audio e seancës. Jam kërcënuar!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka ftuar gjykatën që të bëjë publike audion e seancës që pretendon se prokurori Ols Dado e ka ofenduar. Sipas tij, përfaqësuesi i organit të akuzës e ka cilësuar “ndyrësirë”.

Në një reagim së fundmi në rrjetet sociale, Veliaj ka thënë se në atë sallë gjyqi ai është fyer, sulmuar dhe kërcënuar nga prokurori Ols Dado.

“Për të qenë të vërtetë deri në fund, ftoj gjykatën të publikojë audion e asaj seance të shëmtuar dhe pastaj qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë”, thotë Veliaj.

Sipas Veliajt, ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për ta “vrarë” politikisht dhe thotë se ka dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky … ndyrësirë”.

“Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”, shkruan Veliaj.

Më herët, Gjykata e Posaçme rrëzoi pretendimin e Veliajt dhe theksoi se prokurori Dado nuk e ka përdorur fjalën “ndyrësirë”.

“Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, reagoi GJKKO.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Prokuroria e Posaçme. Në një deklaratë zyrtare SPAK thotë se nuk është përdorur fjala “ndyrësirë” nga prokurori Ols Dado.

 

Fraksion.com