AktualitetTë fundit

Hapet aplikimet për panelet diellore për ngrohjen e ujit, Balluku: Mbështetje 70% për 2 mijë familje

Nga sot qytetarët mund të aplikojnë për të përfituar subvencionin deri në 70% për vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se nga kjo thirrje do të përfitojnë 2 mijë familje.

Vendosja e paneleve diellore për ngrohjen e ujit ndikon drejtpërdrejt në reduktimin e faturës së energjisë elektrike për familjet 20-30%.

“Prej ditës së sotme janë hapur aplikimet për të gjithë abonentët familjarë për vendosjen e paneleve për ngrohjen e ujit. Janë 2 mijë njësi për 2 mijë familje që do të përfitojnë 70% subvencionim nga Agjencia e Eficiencës së Energjisë”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.

Fituesit e thirrjes së parë nuk mund të aplikojnë përsëri për të njëjtën banesë/kontratë energjie.

Thirrja e parë, e hapur në 2023-shin, rezultoi e suksesshme dhe rreth 1980 familje në të gjithë vendin kanë të instaluara në banesat e tyre panelet diellore për ngrohjen e ujit, të subvencionuara në masën 70% nga buxheti i shtetit.

Diversifikimi i burimeve të rinovueshme është strategji kombëtare të cilën Qeveria Shqiptare po e ndjek prej vitit 2019.

 

Fraksion.com