GJKKO i përgjigjet Erion Veliajt: Ols Dado nuk të ka thënë ndyrësirë!
Gjykata e Posaçme, GJKKO ka zbardhur detajet nga seanca gjyqësore e Erion Veliajt i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
GJJKO sqaron se prokurori Ols Dado nuk ka përdorur asnjë fjalë denigruese ndaj Veliajt.
Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.
Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, thuhet në njoftimin e GJKKO.
Por pas GJKKO-së dhe SPAK ka reaguar në lidhje me akuzat e Erion Veliajt se prokurori Ols Dado e ka quajtur ndyrësirë.
SPAK ka zbardhur dosjen nga seanca duke theksuar se në faqen 292 ku janë zbardhur deklaratat nuk ekziston asnjë lloj fjale denigruese.
Në faqen 292, e numërtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media. Kjo më sipër është faqja 292 e procesverbalit të skanuar, e firmosur nga sekretarja e GJKKO-së”, njofton SPAK.
Sipas SPAK debati mes prokurorit Ols Dado dhe Erion Veliajt ka qenë i tillë:
Prokurori Ols Dado: S’ke turp që thua banesën e prokurorit, ça është kjo, kërcënim është ky që tregon banesën e prokurorit?
Erion Veliaj: Nuk po bëj asnjë kërcënim, unë besoj që është konflikt interesi, prokurori mendon që kjo është sjellje normale, unë mendoj që s’është normale.
Fraksion.com