AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: SPAK ka marrë përsipër t’i marrë mandate opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se SPAK është shndërruar në një prokurori politike që ka marrë përsipër t’i marrë mandate opozitës, si dhe të vendosë në ndjekje penale apo arrest tre liderët e tre partive opozitare.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se “me Edi Ramën dhe ardhjen e Altin Dumanit në krye të SPAK nisi veprimtaria kriminale e SPAK kundër opozitës”.

“Altin Dumani është drejtuesi i asaj prokurorie e cila është shndërruar në një prokurori politike që ka marrë përsipër t’i marrë mandate opozitës, siç ka qenë mandati i Fredi Belerit. Po ashtu ka marrë përsipër si asnjë vend tjetër të Europës të vendosë në ndjekje penale apo arrest, tre liderët e tre partive opozitare. Ilir Meta pa asnjë akuzë konkrete. Sali Berisha gjithçka në manipulim dhe falsitet. Fatmir Mediu për një proces i cili është gjykuar gjerësisht 15 vite më parë”, shtoi ai.

Ndërsa u ndal te burgosja e Ervin Salianjit, Berisha akuzoi SPAK se ka mbyllur dhe ka amnistuar krimin e madh elektoral të zyrtarëve më të lartë të shtetit.

Berisha theksoi se “mbrojtja që i bëri Xhorxh Sorosi veprimtarisë kriminale të Edi Ramës merr fund dhe ai tani do përballet me ligjin”. “Njëherë për njëherë aty ku e ka shkelur dhe e garantoj mbrapa edhe në Shqipëri”, shtoi ai.

Po ashtu, Berisha e konsideroi kërcënim, postimin e  sotëm në rrjetet sociale të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. “Kërcënimi personal është për dëshmitarët, që po folët, do e keni personale me mua. Nuk ka akt më të mirëfilltë të pengimit të drejtësisë se ky”, tha Berisha.

Duke folur për zgjedhjet e 11 majit, Berisha tha se “PD është e hapur për të bashkëpunuar me çdo parti që e konsideron Ramën si problemin kryesor”.

“Partia Demokratike mbetet e hapur, i ka deklaruar qëndrimet e veta. Tani çdo parti, çdo forcë politike e cila konsideron Edi Ramën si problemin më madhor dhe të keqen më të madhe të këtij vendi, nuk mund të ketë asnjë rezervë për një koalicion sa më të gjerë kundër tij. Personalisht nuk kam pasur, por do të vendosen kontakte. Me të gjithë do të vendosim kontakte, jemi shumë të vendosur”, shtoi Berisha.

 

Fraksion.com