AktualitetPolitikëTë fundit

“Tek detyra dallohen udhëheqësit”, Rama: Tiranën e kam ngritur nga varri, këtë nuk ma heq dot askush

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se nuk janë të gjithë njësoj, ndërsa shtoi se kur Tiranën e mori me dhunë “këneta”, ajo ngeci dhe as Sahati i Tiranës nuk punonte.

Përmes një videomesazhi në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri iu përgjigj një komentuesi i cili në videokujtesën e postuar në rrjetet sociale për zhvillimin e Tiranës, i kujton se ka bërë vetëm detyrën për të cilën është zgjedhur.

“Videokujtesën e postuar sot në mëngjes në këtë faqe për Tiranën, kush nuk e ka parë, mendoj se do të bënte mirë ta shihte. Po, nuk më kanë vënë njerëzit “të dridhja zinxhirët”, por kam një pyetje të cilës duhet t’i përgjigjesh përpara sesa të thuash: “Ti ke zero meritë, se ke bërë vetëm detyrën”. Po atëherë, përse u desh të vija unë, se aty ishin të tjerët, apo jo, dhe njerëzit, edhe ata për detyrën i kishin vënë, nuk i kishin vënë “të dridhnin zinxhirët”, apo jo?!”, iu drejtua Rama komentuesit.

“Detyrën pra, detyrën. Atë duhet të bëjnë të gjithë, dhe tek detyra dallohen dhe udhëheqësit, edhe fshesaxhinjtë, edhe të gjithë ata që janë ndërmjet të dyjave. Prandaj unë vërtetë nuk e kam ulur qiellin në tokë, por Tiranën nga varri e kam ngritur, madje këtë nuk ma heq dot askush”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “kush nuk do ta shikojë, natyrisht nuk e shikon, por ky nuk është problem”.

“Edhe diçka tjetër, pse kur Tiranën e mori me dhunë “këneta” ajo ngeci dhe as Sahati i Tiranës nuk punonte? Apo ngaqë të gjithë jemi njësoj? Jo pra, jo, nuk jemi të gjithë njësoj, prandaj Tirana sot nuk është më Kandahar, dhe prandaj Shqipëria sot nuk është hiçgjëkundi njësoj, qysh se unë dhe Partia Socialiste kemi marrë besimin e popullit për ta udhëhequr këtë vend dhe për ta ngjitur në atë majë ku askush tjetër nuk e ngjit dot”, u shpreh Rama.

Ndërsa një tjetër komentuesi i cili shprehet se krahasimi pas 35 vitesh është i shëmtuar, Rama u shpreh se “Tirana është bërë nga ata që është bërë, jo nga ata që sa herë kanë pasur gjë në dorë e kanë zhbërë, në plot kuptimin e fjalës”.

“A thua Soni të jetë e vërtetë kjo? A thua se kushdo që të ishte prapëseprapë, për shembull, do të bënte piramida në ’97-ën? A thua se kushdo që të ishte prapëseprapë do t’i binte kantiereve të Zogut të Zi dhe të sheshit “Skënderbej” për luftë politike me kryetarin e bashkisë? A thua që kushdo që të ishte do ta ngrinte Tiranën nga varri në vitet 2000, apo do ta bënte qytet europian me miliona turistë në vit? Nuk e di, por besoj je gabim, se i bie që sipas teje kot voton populli, kot zgjidhen qeveritë dhe udhëheqësit dhe kushdo që të jetë prapëseprapë do të bëjë atë që është për t’u bërë”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se, “po të ishte kjo puna e përbashkët kaq abstrakte dhe po ta bënte koha nuk do të ishte ‘ca ndërto e ca shkatërro’”.

“Prandaj, duan, s’duan ata që s’duan, historia e Tiranës Europiane është historia e pikërisht asaj videokujtese, që çuditërisht të ka mërzitur, në vend që të të frymëzojë. Është historia ime, është historia jonë, është historia e Partisë Socialiste, është historia e këtij populli. Populli i Tiranës, jo më kot i ka dhënë besimin 7 herë në 7 për ta drejtuar Tiranën”, tha Rama.

Prandaj, vijoi ai, “jo më kot në 11 maj do votojë PS-në më shumë se asnjëherë tjetër edhe për Tiranën. Të tjerat janë llafe, i merr era dhe ngjarje që nesër do t’i përkasin thjeshtë dhe vetëm harresës”.

Ndërkohë një tjetër komentuesi, që thotë se qendra e Tiranës me rrugë e bulevard ashtu ka qenë që nga koha e Zogut, Rama iu përgjigj: “A thua janë bërë vërtetë që në kohë të Zogut, apo mos e ke pak gabim? Se në fakt të tëra këto rrugë që ti përmend janë zgjeruar. Për shembull, ajo rruga tek Pallati me Shigjeta nuk ekzistonte fare. S’kishte fare dalje andej shoku Uran. Po pemët thua janë aty që nga koha e Zogut apo janë mbjellë pjesa më e madhe në atë kohën që ti nuk e dashke fare? Këtë për betonin nuk i hyj hiç, është një debat shterpë për mua. Ndërsa historinë, historinë lërja historisë, aty mos ma kij merakun fare”.

Kryeministri siguroi se do ta bëjmë “Shqipërinë 2030” Europën e Ballkanit dhe Tiranën – kryeqytetin e saj krenar.

“Pikërisht se këtë “Kandahar” e bëra kryeqytet europian dhe bashkë me PS, që ti nuk e do, por s’ka problem, se rëndësi ka që ne ty të duam, pavarësisht bindjeve që të errësojnë sytë”, tha Rama.

 

Fraksion.com