AktualitetPolitikëTë fundit

Nga rrënojat e viteve ’90 te viti 2025, Rama publikon pamjet: Luftë e pashoqe për Tiranën europiane

Tirana pas viteve 2000 ka pësuar një transformim të madh, duke u shndërruar në një prej destinacioneve më të vizituara nga turistët e huaj dhe duke qenë në foksus të medieve më të rëndësishme ndërkombëtare.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau një video nga ndryshimet rrënjësore që ka pësuar Tirana ndër vite, që prej kohës kur ai ka qenë kryetar i bashkisë.

“Kush ka lindur në vitet ‘90 apo ka qenë fëmi në fillimvitet 2000, ta shohë këtë videokujtesë të luftës së pashoqe për Tiranën Europiane”, shkruan Rama.

Edi Rama u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës në zgjedhjet lokale më 1 tetor 2000, detyrë që e mbajti deri më 2011.

Në fjalimin e tij me marrjen e detyrës së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Rama ka thënë se “qytetarët e Tiranë kërkojnë nga ne ta kthejmë fletën e dhjetë vjetëve të fundit që e shndërruan Tiranën në një qytet të abuzivizmit total dhe të cinizmit të pashoq. Tirana nuk mund të mbijetojë më tutje përmes kaosit dhe anarkisë. Tirana duhet të jetojë”.

Në video prezantohen ndryshimet që ka pësuar Tirana, që nga Lana, fasadat e pallateve, Unaza e Madhe, sheshi “Skënderbej”, Liqeni Artificial, Pazari i Ri, Unaza e Vogël dhe Parku Olimpik, shkolla të reja, ambientet sportive etj.

“Jam i bindur që kthimi në identitet do të vazhdojë ashtu sikundër jam edhe më i bindur që qytetarët e Tiranës shohin përditë që Tirana ndryshon, shohin përditë që Tirana jep shenja rimëkëmbje dhe shprese. Unë nuk merrem me fjalë, unë kam punët nëpërmjet të cilave flas”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se “duhet bërë çmos për të gjithë këtë fëmijë që janë këtu që të paktën të krijohen terrene sportive, ku këta mund të lozin dhe ku këta mund të kalojnë ditën e lirë të tyre me më shumë dinjitet dhe jo nëpër gropa dhe pluhur”.

Në videon e publikuar nga Rama është edhe një kronikë e vitit 2002, ku thuhet se “demokratët nuk do ta vonojnë më kërkesën për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për hetimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës Edi Rama”.

Në atë kohë kryetari i PD-së Sali Berisha ka thënë se Edi Rama e kishte shndërruar bashkinë e Tiranës në një ndërmarrje ndërtimi të mafias ballkanike.

Në qershor të 2003 në Komisionin e Posaçëm Parlamentar Rama tha se “dëshiroj t’ju sqaroj se pse kjo nuk është një betejë kolektive dhe se pse jeni ju ata që keni sjellë të tërë këta njerëz, të tërë këta qytetarë të lirë, të tërë këta profesionistë të ndershëm në këtë banko të akuzuarish. Këta njerëz që janë këtu me mua janë profesionistë të ndershëm”.

Përmes kësaj videoje, kryeministri Rama solli në vëmendje deklaratat e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për disa nga investimet strategjike që janë kryer në kryeqytet.

Sheshi “Skënderbej” konsiderohet ndër investimet kryesore për kryeqytetin, ku 50% e të gjithë territorit është i gjelbëruar, ndërsa  50% është pllakë guri, me gurë të sjellë nga të gjitha trevat shqiptare.

Në vitin 2016, për projektin e Sheshit “Skënderbej”, Veliaj deklaronte se si çdo fillim i vështirë edhe ky projekt ka debat.

“50% e të gjithë territorit të sheshit “Skënderbej” do të jetë gjelbërim, do të jetë e mbushur me pemë dhe shkurre dekorative dhe vetëm 50% pastaj do të jetë pllakë guri, e cila do të sjellë gurë nga të gjithë trevat shqiptare për të pasur realisht një shesh jashtëzakonisht përfaqësues. E di që si çdo fillim i vështirë ka debat. Mbaj mend debatet e këndit të lodrave, por kur mbaroi e gjithë puna ishte një projekt fantastik dhe sot Tirana po e shijon”, shprehej Veliaj.

Këndi i lodrave te Liqeni Artificial, Pazari i Ri, Unaza e Vogël dhe Parku Olimpik janë disa prej investimeve të tjera të rëndësishme të realizuar në kryeqytet.

Në një tjetër deklaratë në vitin 2017, kryetari i bashkisë së Tiranës shprehej: “Unë e kam dëgjuar zhurmën edhe për këndin e lodrave edhe për Pazarin e Ri edhe për Unazën e Vogël edhe për Parkun Olimpik, por di t’ju them se Shqipëria që fiton është Shqipëria e punës, jo Shqipëria e zhurmës. Kam një thirrje publike për të gjithë, të majtë e të djathtë, të zhurmës e të punës. Ka ardhur koha që përtej cicmiceve të jetë Tirana, përtej zhurmës të jetë Shqipëria dhe përtej sherreve të jetë kombi ynë i madh, kombi shqiptar”.

Piramida e Tiranës është një tjetër ndërtesë ikonike që falë projektit të Winy Maas I MVRDV nga Holanda është rijetësuar si qendra më e madhe digjitale në rajonin e Ballkanit.

Ndërkohë në vitin 2020, Veliaj shprehej: “Ne kemi vendosur që ndërtesën më ikonike të Tiranës ta kthejmë në një qendër në një shkollë alternative. Pas disa vitesh projekti me konceptime, arritëm në një konkluzion final, projekti i Winy Maas I MVRDV nga Holanda është projekti fitues për t’i dhënë drejtim një pune dhe kantieri dyvjeçar që do të përfundojë në rijetësimin e Piramidës si qendra më e madhe digjitale në rajonin e Ballkanit”.

Disa nga projektet dhe investimet kryesore në Tiranë:

Në Tiranë janë shtruar 74 kilometra rrugë në blloqe banimi. Janë rehabilituar 100 blloqe banimi, si dhe janë rikualifikuar tërësisht 49 lagje. Janë kryer 110 mijë ndërhyrje në mirëmbajtje dhe riparime të trotuareve, rrugëve, ndriçim dhe kanalizime të ujërave të bardha.

Po ashtu janë kryer mbi 9890 ndërhyrje për lirimin e hapësirave nga ndërtimet informale dhe 950 ndërhyrje për t’i hapur rrugën projekteve dhe rrugëve të reja.

Është dyfishuar rrjeti i korsive të dedikuara të autobusëve, si dhe është rritur me 17 numri i linjave të urbanëve duke shtuar me 469 numrin e stacioneve.

Së shpejti nis projekti i linjës së shpejtë të autobusëve, ndërsa Unaza e Madhe ka lehtësuar trafikun.

Ndërkaq janë bërë 5 parkime nëntokësore dhe 9 sheshe parkimi publike.

Programi i Rindërtimit është një nga programet më të suksesshme, nga i cili kanë përfituar 25 100 familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019. Janë dhënë 11 mijë grante për dëme të lehta dhe të moderuara dhe kanë përfituar 8 mijë familje nga riparimi i 526 pallateve. Janë 3 mijë familje përfituese nga dëmet e mëdha.

3337 familje kanë përfituar menjëherë bonusin e qirasë.

Janë rindërtuar 708 banesa individuale dhe janë përuruar dy lagje të reja urbane, Kombinati dhe “5 Maji”. Ndërkohë janë 202 familje përfituese për lagjet e reja në 5 zona rurale Zall-Herr, Vaqarr, Baldushk, Ndroq dhe Pezë.

Nga programet sociale të strehimit janë ndihmuar 6127 familje përmes 3651 kredive të buta, 2057 bonuse strehimi dhe 419 banesa sociale me qera.

Po ashtu 8 qendra sociale janë transformuar në qendra komunitare, ku përfitojnë shërbime 3500 persona.

2720 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme marrin bursën e ekselencës.

 

Fraksion.com