AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Nëse do pranoja prokurorinë politike, do isha tradhtar i opozitarizmit

Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se opozita mbështet procesin e integrimit të vendit në BE, megjithëse theksoi se nuk plotëson asnjë kusht, përveçse atij gjeostrategjik.

“Mbështesim plotësisht procesin e Shqipërisë drejt BE, duke deklaruar se Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht përveç atij gjeostrategjik. Këtë e kemi thënë hapur edhe në Komisionin Europian”, deklaroi Berisha gjatë një interviste në medie.

Por theksoi ai, gjeostrategjia është një forcë natyrale që është e gabuar të mos shfrytëzohet.

“Shqipëria për motiv gjeostrategjik meriton që nesër të anëtarësohet”, u shpreh kreu i PD.

I pyetur për zgjedhjet e 11 majit, Berisha tha se Rama do t’i humbiste ato.

“Situata është përmbysur në favor të opozitës. Po krijojmë garanci ndërkombëtare dhe kombëtare shumë të fuqishme”, tha Berisha.

Ai u përgjigj edhe për deklaratën e  sotme për shkrirjen e SPAK-ut.

“Nëqoftëse unë do pranoja këtë Prokurori siç është, unë do isha një tradhtar, më i madhi në historinë e opozitarizmit në Shqipëri. Unë kam këtu tre rezoluta ndërkombëtare të cilat damkosin SPAK-un si prokurori politike. Nëse unë si opozitar do pranoja një prokurori politike, unë do pranoja një gjëmë të madhe për vendin tim”, tha Berisha.

Në lidhje me strategjinë e SPAK për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, Berisha tha se “nuk  mund t’i besoj atyre që kanë amnistuar krime monstruoze elektorale, sepse i bie të gënjej veten time”.

“Njëherë më gënjyen ata. Ata disponuan dokumentet më të sigurta, zyrtare, regjistrime me firmë të prokurorit. S’kanë qenë aksidentale ato. Këto nuk mund t’i mbyllte kush përveç prokurorisë politike. Kemi të bëjmë me prokurori politike”, deklaroi Berisha në A2 CNN.

Lidhur me ngjarjen e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 protestues në bulevard, Berisha ripërsëriti se kishte kërkuar hetim ndërkombëtar.

“Ai hetim ka një deklaratë të qeverisë amerikane, që kërkon të hetohet nga polici te organizatori. Është e qartë për të gjithë shqiptarët se kush ishte organizatori. Unë as e kam penguar, kam qenë i rrethuar dhe i goditur me gurë e plumba, kam kërkuar hetim ndërkombëtar atë natë”, shtoi Berisha.

 

Fraksion.com