AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Do pajisim pensionistët dhe personat që marrin rrogë minimale me kartën e konsumatorit

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi sot në një konferencë për shtyp nga selia blu, atë që ai e quajti “paketa e sulmit kundër skamjes”. Berisha tha se qeveria e ardhshme, nëse PD fiton zgjedhjet në 11 maj, do të vendosë kartën e konsumatorit për çdo pensionist dhe ata që marrin paga minimale. 450 euro në vit, tha Berisha, do t’u kthehen qytetarëve.

“Nuk do jetë bonus siç e quan Edi Rama, por do të jetë rikthimi i TVSH për çdo gjë që ata paguajnë nga ilaçet, buka, ushqimet. Nuk mund të tolerohet më tutje ky hendek i tmerrshëm që po ndan shoqërinë dhe po thellohet gjithnjë e më shumë”, tha lideri i opozitës.

Sali Berisha: Me këtë rast, unë siguroj pensionistët se përveç rritjes së pensioneve që njoftova, çdo pensionist do pajiset me kartën e konsumatorit me të cilën ai do marrë 450 euro në vit dhe nuk do jetë bonus siç e quan Edi Rama, por do jetë rikthim i TVSH-së që ata paguajnë për çdo gjë që blejnë në jetën e tyre, duke filluar nga ilaçet, ushqimi, buka dhe çdo gjë tjetër.

Po, do bëhet kjo sepse nuk mund të tolerohet më tutje ky hendek i tmerrshëm që po e copëton shoqërinë shqiptare. Në këto përmasa është tmerrësisht i frikshëm.
Ndaj do jepen, fillimi do jetë karta e konsumatorit me 450 euro për çdo qytetar që merr minimumin jetik, për çdo pensionist dhe çdo rrogëulët. Nuk mjaftojnë këto. Jo! Do të ulet çmimi i energjisë në 7 lekë për kilovat nga 85 që e sollën këta.

 

Dhe do proporcionohen të gjitha qiratë e banesave sociale në përputhje me rrogën. Një rrogëtar me rrogë 700 mijë lekë, paguan 62 mijë lekë qira në banesë sociale. Një pension me pension 130 euro, paguan 62 euro për qira në ndërtesë sociale. Kjo merr fund. gjithçka do proporcionohet. Në qoftë se pensioni është 4 herë më i ulët se rroga, 4 herë më e ulët do jetë pagesa e qirasë së tij. Nuk mund të trajtohen njerëzit si kavie laboratori. Jo!
Fraksion.com