“Taksa e pronës do zbritet 5 herë”, Berisha: Ulim çmimin e energjisë për bizneset me 300%. Nafta, 40% më pak!
Kryetari i PD Sali Berisha, pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ka prezantuar disa nga masat kryesore të programit ekonomik të PD, duke e cilësuar atë si një përgjigje ndaj problemeve të akumuluara ndër vite.
Sipas Berishës, programi synon të lehtësojë barrën fiskale për qytetarët dhe bizneset, të ulë çmimet e energjisë dhe karburanteve, si dhe të nxisë prodhimin vendas. “Taksa e pronës do të ulet me 500%, çmimi i energjisë për bizneset do të bjerë trefish, çmimi i naftës do të ulet me 40% dhe tatimi mbi të ardhurat do të zbresë në 10%,” deklaroi ai.
Programi i PD, sipas tij, është një plan konkret për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të përmirësuar cilësinë e jetesës në Shqipëri.
“Programi i PD jep përgjigje problemeve të akumuluara ndër vite. Taksa e pronës do ulet me 500%. Çmimi i energjisë për bizneset do ulet 3 herë ose 300%. Çmimi i naftës do ulet me 40%. Tatimi mbi të ardhurat zbret në 10%… Do nxitet prodhimi. Shqipëria prodhuese do të jetë motoja jonë. Turizmin do ta formalizojmë. Statistika turistike thotë se informaliteti i turizmit është 8-10 herë më i madh se në Kroaci dhe Mal të Zi. Prandaj edhe ato shifra. Ne nuk premtojmë shëndetësi falas se kjo solli tragjedinë e këtij sistemi që kemi sot, por premtojmë dyfishim të buxhetit të kujdesit shëndetësor, garantojmë të njëjtat standarde mjekimi dhe ilaccesh si në vendet e tjera të rajonit. Nuk mund të mungojmë më kurrë ilaçet si sot
“, tha Berisha.
Sali Berisha ka folur sot pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, duke vlerësuar procesin e primareve dhe duke theksuar rëndësinë e programit të PD për zgjidhjen e problemeve kryesore të qytetarëve.
“Kam një falënderim për secilin që mori pjesë në këtë proces të primareve. Besimi i tyre te PD dhe vendosmëria për të ndërtuar ëndrrën më të bukur politike në këtë parti janë tregues të rëndësishëm,” u shpreh Berisha.
Ai vlerësoi gjithashtu numrin e lartë të kandidaturave, duke e cilësuar si një dëshmi të besimit të shqiptarëve te Partia Demokratike.
Fraksion.com