Rama: Pensionistëve “bonusin e pranverës” , 62 milionë euro, merret që nga 1 marsi
Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë sot me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy” deklaroi se, “bonusi i pranverës” për pensionistët do të lëvrohet duke filluar nga data 1 mars.
“Po e filloj me një ritheksim nga dita e djeshme, se më kishin kapur në fjalë që nuk u dha bonusi i pranverës për pensionistët, doli gënjeshtra etj., dhe publikova në Twitter vendimin e 9 janarit të qeverisë për dhënien e “bonusit të pranverës” për pensionistët, i cili lëvrohet duke filluar nga data 1 mars”, tha Rama.
“Sipas planit dhe sipas premtimit bonusi është 62 milionë euro, nuk janë pak për buxhetin e Republikës tonë. Dhe për të gjithë ata që marrin deri në 200 euro pension do të jetë 100 euro bonus. Dhe për ata që marrin mbi 200 euro pension do të jetë 50 euro pension”, u shpreh Rama.
“Kështu që nga 1 marsi dhe në vijim pensionistët do të mund të tërheqin “bonusin e pranverës”. Do të jetë i disponueshëm dhe nuk ka asnjë diskutim që ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, tha Rama.
Kryeministri Rama iu përsëriti pensionistëve që “bonusi i pranverës” është në dispozicion në bazë të vendimit të marrë nga qeveria në datën 9 janar.
Fraksion.com