Kristersson: Evropa rrezikon të shndërrohet në një muze nëse nuk evoluon në IA
Evropa rrezikon të shndërrohet në një muze nëse nuk heq kufizimet e rrepta mbi teknologjitë e inteligjencës artificiale dhe nuk merr masa, deklaroi kryeministri suedez Ulf Kristersson, shkruan CNBC.
“Unë mendoj se ne me të vërtetë duhet të rritemi në Evropë… ekonomitë amerikane dhe kineze janë rritur shumë më shpejt se ekonomia evropiane gjatë 20 viteve të fundit”, tha ai.
”Nëse nuk i ndryshojmë gjërat, Evropa do të bëhet një lloj muzeu në krahasim me pjesët e tjera të botës”, shtoi ai.
Zëri i Kristersson i bashkohet një kori liderësh evropianë që folën në Samitin e Parisit javën e kaluar, duke theksuar nevojën që ”rajoni të bëhet një lojtar më konkurrues në garën globale për inteligjencën artificiale”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka njoftuar një investim prej 109 miliardë eurosh (113,7 miliardë dollarë) në IA, përfshirë angazhime nga investitorët e huaj si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe fondet e investimeve të SHBA-së dhe Kanadasë, si dhe firmat vendase si ”Iliad”, ”Orange” dhe ”Thales”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha gjithashtu se BE-ja do të mobilizojë një total prej 200 miliardë eurosh (208,6 miliardë dollarë) për investimet e IA në Evropë.
”Për të konkurruar në mjedisin e ri gjeopolitik, Evropa duhet të bëhet një vend ku biznesi dhe inovacioni duhet të lulëzojnë”, tha Kristersson.
“Për momentin, ne kemi kompani që kanë probleme me përdorimin e teknologjive më të fundit për shkak të pasigurive të legjislacionit evropian i cili duhet të ndryshojë”, shtoi ai.
Fraksion.com