AktualitetKosovaNATO/BETë fundit

Kosovë: Parlamenti Europian për heqjen e masave ndëshkuese

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veri dhe për shkak të veprimeve të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës.

Në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian të enjten (20.02) prezantohet draft-raporti për Kosovën nga i cili kërkohet heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Raporti është përgatitur nga Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras. BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe dhe për shkak të veprimeve të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Masat ndaj Kosovës përfshinë ngrirjen e disa fondeve të BE-së dhe pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me zyrtarët kosovarë. “Bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”, thuhet në dokument.

Shqetësim për situatën e sigurisë në Kosovë

Edhe më herët Parlamenti Evropian ka kërkuar dhe e mbështet kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe vendi t’i bashkohet edhe programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s. Shqetësim shprehet edhe për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, sidomos pas sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, dhe sulmit me mjet shpërthyes në kanalin e ujit Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2024.  Draft-raporti thekson se “autorët e këtyre veprave të dhunshme, të nxirren para drejtësisë”. Aty shprehet keqardhje “përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq”.

Kritika për dobësitë në sistemin e drejtësisë, vlerësim edhe për progresin

Në draft-raportin për Kosovën të raportuesit Riho Terras, shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë, sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjeve të pushteteve, duke u theksuar qartë edhe gjendja jo të kënaqshme sa i përket korrupsionit dhe rezultate jo të kënaqshme në hetime dhe dënime të rasteve. “Përsërisim shqetësimin për vonesat në rastet gjyqësore dhe kritikat nga ana e zyrtarëve të Qeverisë ndaj vendimeve në rastet individuale”, thuhet në draft-raport.

Pas konsultimeve me partnerët, Terras shkroi se duke marrë parasysh gjetjet e Komisionit Evropian, nënvizohet megjithatë, se ka “progres domethënës në fushën e drejtësisë, të sigurisë dhe lirive, të luftës kundër krimit të organizuar dhe të funksionimit të ekonomisë së tregut”, por shprehet keqardhje në “përparimin e limituar në sundimin e ligjit”.

Si do të veprohet më tej me draft-raportin?

Në draft-raport shprehet gjithashtu mbështetja për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në të njëjtën kohë përshëndetet emërimi i Peter Sorensen,  në postin e të ngarkuarit të BE-së për këtë dialog. “Vlerësohet përkushtimi i Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe se përpjekjet për ta nxjerrë vendin nga një zonë gri, janë në interes edhe të Kosovës, edhe të BE-së”, thuhet në raport, ku mbështetet po ashtu aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE dhe ftohen vendet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë pa vonesa të tjera.

Pas paraqitjes së këtij draft-raporti në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, deputetët e PE-së do të kenë mundësi të paraqesin edhe amendamente shtesë. Draft-raporti pritet të votohet së pari në Komisionin Parlamentar, e më pas raporti duhet të miratohet si një rezolutë e Parlamentit Evropian./DW

 

Frakasion.com