Arrestimi i Veliajt, Rama do mbledhë në orën 16:30 punonjësit e bashkisë dhe drejtorive vartëse në sheshin ‘Skënderbej’
Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nën akuzat për korrupsion, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një mbledhje emergjente me punonjësit e bashkisë në sheshin “Skënderbej” sot në orën 16:30.
Pas ndalimit të Veliajt javën e kaluar Rama zhvilloi takime me nënkryetarët e bashkisë së Tiranës, nga ku më pas u vendos edhe delegimi i firmës së kryebashkiakut Veliaj te Anuela Ristani.
Më herët, kryeministri Edi Rama, në rubrikën Sy më sy në “Facebook”, foli edhe për punën e SPAK dhe arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Rama tha se SPAK ka anë të mira, por edhe negative. Sipas tij, në rastin e Veliajt, është shkatërruar jeta e një njeriu për budallallëk profesional.
Më tej, Rama shtoi se e mbështetet SPAK, por se duhet që të jetë strukturë e pavarur dhe me standard profesional e europian.
“Profesionalen duhet ta konsolidojmë. Ka gjëra negative, por edhe gjëra pozitive. Kur shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional është e tepruar.
Nuk mund të hetohet me metoda të Sigurimit të Shtetit, synojmë të kemi drejtësi të pavarur dhe të standardeve europiane. Unë uroj të jetë një lajthitje e momentit dhe të ndalet survejimi në territor.
Nuk mund të kthehemi në kohë të errëta, sa kush merret me politikë të survejohet. Drejtësia duhet mbështetur fuqimisht, që të bëjë punën e vet.
Secili është në punën e vet, ne kemi punën tonë dhe nuk duhet të ndërhyjmë tek njëri-tjetri. Por, duhet të luftojmë të gjithë për drejtësi profesionale”, tha Rama.