“Armiku më i rrezikshëm për SHBA është ai i brendshëm”, Berisha: Pse e krahasoj deklaratën e Donald Trump me atë të Gorbaçov. Si u shkërmoq perandoria e së keqes
Kreu i PD Sali Berisha ka komentuar një deklaratë të Presidentit amerikan, Donald Trump, duke e krahasuar me një thënie të Mikhail Gorbaçov në vitin 1989.
Trump tha se “armiku më i rrezikshëm për Amerikën është armiku i brendshëm”, një pohim që, sipas Berishës, ka një kuptim të thellë. Ai e lidh këtë me një deklaratë të Gorbaçovit, kur ai shpalli në ’89 se “Rusia është sot toka e askujt”, një thënie që, sipas Berishës, çoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
Sipas tij, Trump ka bërë një deklaratë të ngjashme, por më të fuqishme, duke iu referuar armikut të brendshëm që ndodhet brenda establishmentit amerikan, duke përmendur një akt të dyshuar të kryediplomatit amerikan lidhur me laptopin e Hunter Biden.
Sali Berisha : Presidenti Donald Trump ka bërë një deklaratë të cilën jo të gjithë e kuptuan në të gjitha dimensionet e saj kur tha se “Armiku më i rrezikshëm për Amerikën është armiku i brendshëm”. Unë këtë deklaratë e krahasoj me një deklaratë të Gorbaçov i cili në vitin ’89 deklaroi se Rusia është sot toka e askujt. Me këtë deklaratë tregoi se ishte gjeniu, gjiganti i guximit njerëzor sepse në atë kohë Rusia ishte në kthetrat e Partisë Komuniste të BS, omnipotente, omniprezente, por ky burrë me një kurajo mbinjerëzore i tha “mamuthit”, Partisë Komuniste, se Rusia nuk është e jotja dhe as e popullit rus.
Mbi këtë bazë u shkërmoq perandoria e së keqes, Bashkimi Sovjetik dhe Rusia iu kthye rusëve, Kazakistani kazakëve, Azerbajxhani, azerëve. Ishte një deklaratë gjeniale, por e vërteta është se më gjeniale është deklarata e Donald Trump se “Armiku më i rrezikshëm për SHBA është armiku i brendshëm”. Cili është ky armik i brendshëm? Qëndron në establishment, në zyrat më të larta, më të rëndësishme.
Ky armik i brendshëm ishte kryediplomati i Amerikës dhe botës që kishte marrë, mbledhur 51 firma për të mashtruar kombin amerikan dhe për t’i thënë se laptopi nuk ishte i Hunter Biden, por e kishin lënë rusët tek një berber… Dhe ky njeri pasi u vërtetua nga hetimi i Kongresit se kishte kryer këtë akt, nuk kishte minimumin e integritetit të jepte dorëheqjen… Nuk e marr këtu për raportet e mia me Antony Blinken, por nuk është kuptuar sa duhet dimensioni i deklaratës së Donald Trump.
Fraksion.com