Rama: Ritëm i lartë punimesh për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës
Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë mëngjes pamje nga puna në autostradën Tiranë-Durrës, ku punimet po përparojnë me ritme të larta.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi imazhe nga kantieri i ndërtimit të këtij aksi të rëndësishëm rrugor.
“Pamjet nga autostrada Tiranë-Durrës, ku puna po përparon me ritëm të lartë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Puna për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës kanë nisur në muajin shtator 2024. Punimet për zgjerimin e autostradës që lidhë Tiranën me Durrësin me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat, do ta kthejë atë nga autostradë e kategorisë “B”, në autostradë të kategorisë “A”.
Shtimi me 4 korsi jep mundësinë për shpejtësi deri në 130 km dhe e sjell në parametrat e të gjitha autostradave të reja që po ndërtohen. Segmenti i parë ku po ndërhyhet është 6 km, nga Kthesa e Kamzës deri në Mbikalimin e Rinasit.
Përveç zgjerimit me dy korsi, i gjithë trupi i rrugës do të ribëhet me shtresa rrugore dhe asfaltike, për shkak se tashmë kjo rrugë ka mbaruar ciklin e jetës. Rehabilitimi dhe zgjerimi i të gjithë rrugës kushton 250 milionë euro.
Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullim e automjeteve mes kryeqytetit dhe qytetit bregdetar, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Fraksion.com