“Mos i hani historitë me kukulla”, Rama: Alex Soros-in dhe të atin i kam pasur dhe do t’i kem miq
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Alex Soros-in dhe të atin e ka pasur dhe do ta ketë mik ashtu siç ka dhe miq të tjerë që nuk janë miq me ta, por shtoi kreu i qeverisë, “unë nuk bëj spekulime dhe abuzime me miqtë”.
Në rubrikën “Sy m’sy” në bashkëbisedimin me qytetarët në platformat sociale, Rama iu përgjigj një qytetari, i cili e pyeti për fotografinë me Alex Soros.
“Unë Alex Soros-in e kam pasur mik. Të atin e kam mik dhe i kam pasur dhe do t’i kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi që kemi shumë të qartë bashkë. Përralla dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që as nuk kanë lidhje fare mua nuk më impresionojnë”, tha Rama.
“Siç kam miq Alex-in, të atin, kam edhe miq të tjerë që nuk janë miq me ta, por unë nuk bëj spekulime dhe abuzime me miqtë edhe mos u bëni qesharakë. Lërini historitë mes amerikanësh t’i zgjidhin amerikanët me njëri-tjetrin. Mos gënjeni veten, se këtu jemi ne kërthiza e botës edhe etj. etj.”, u shpreh Rama.
Kështu që, shtoi Rama, “mos ma qaj hallin mua fare për miqtë e mi. Unë kam shumë miq të cilët mes tyre janë kundërshtarë apo janë armiq edhe nuk po filloj të t’i numëroj, por merr shih të gjithë koleksionin e fotografive dhe të takimeve të mia dhe do shohësh jo një rast, por më shumë sesa një rast që kjo që po të them është mëse e vërtetë dhe është mëse e vërtetë në nivelet më të larta, ku kam privilegjin të jem falë besimit dhe votës së popullit”.
“Kështu që këto historitë me kukulla dhe me mjeshtra kukullash “mos i hani”, ose po të doni t’i hani, hajini, po nuk ju çojnë asgjëkund”, theksoi Rama.
Fraksion.com