“Doktoratura të niveleve të BE”, Rama: Kërkimi shkencor në funksion të zhvillimit të vendit
Kryeministri Rama, gjatë konferencës kombëtare për arsimin e lartë ku u prezantua Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030, u ndal te vizioni për të përafruar standardet e arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Europian.
Një prej aspekteve të trajtuara nga kryeministri ishte dhënia e doktoraturave në arsimin e lartë.
“Bëmë një stop për një periudhë kohe të doktoraturave, pasi vinim nga një fazë barbarie për arsimin e lartë. Duket sikur ka qenë 100 vite më parë, por ka qenë vetëm 10 vite më parë, me 18 universitete që ishin biznese”, tha Rama, ndërsa solli shembullin konkret të disa viteve më parë se si në universitetet jopublike studentët trajtoheshin si klientë që duhet doemos të merrnin diploma edhe pa ardhur në mësim.
Rama tha se kjo ishte situata e arsimit jopublik në atë kohë.
“Sot ka probleme, por sidoqoftë sot kemi shumë gjëra të adresuara dhe të vëna në vend dhe është shumë e rëndësishme të jemi shumë realistë me njëri-tjetrin që ne vërtetë i kemi rihapur doktoraturat, por duhet të synojmë doktoratura të niveleve europiane”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ndryshimi që ka filluar për të vënë kërkimin shkencor në funksion të zhvillimit të vendit duhet të thellohet.
Fraksion.com