AktualitetPolitikëTë fundit

Zhupa: Këshilli Drejtues i RTSH-së, shkelje të ligjit për zgjedhjen e drejtorit të institucionit

Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa kërkoi sot në Kuvend shkarkimin nga detyra të kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Gjatë fjalës së saj lidhur me shqyrtimin e 9 projektvendimeve për shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Zhupa tha se “është një betejë 3-vjeçare për mirëfunksionimin e RTSH-së. Një betejë 3-vjeçare që paligjshmëria e Këshillit Drejtues të RTSH-së të sillej në hullitë e ligjit që zgjedhjet e drejtorëve në RTSH të mos bëheshin si qoka partiakë me njerëz partiakë, por të bëheshin në bazë të standardeve të ligjit”.

“Fatmirësisht koha na dha të drejtë, të gjitha ato që ishin denoncuar me zë dhe figurë nga unë si anëtare, kur isha anëtare e këtij komisioni tani pranohen edhe nga vetë mazhoranca për shkeljet e Këshillit Drejtues të RTSH-së. Tashmë pranohet publikisht nga të gjithë që edhe zgjedhja aq e mbrojtur nga mazhoranca e Alfred Pezës në krye të RTSH ishte në shkelje të procedurave ligjore. Këshilli fitoi vetëbesim,mendoi se u bënë të paprekshëm, menduan se mund të shkelnin ligjin sa herë donin sepse kishin mbrojtjen e mazhorancës socialiste, mirëpo zullumi kur trashet edhe këputet”, nënvizoi Zhupa.

Zhupa u shpreh se “në shkelje të plotë të çdo rekomandimi të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë nuk gjejmë dot një rekomandim të dhënë nga rezolutat e 3 viteve të fundit nga Kuvendi që të jenë zbatuar nga Këshilli Drejtues i RTSH-së”.

“Këshilli Drejtues i RTSH-së ka votuar me vendimin numër 4 të datës 27.01.2025 për të mos përzgjedhur për të vijuar garën kandidatë që i plotësonin kushtet për të vijuar gara, nuk ka zbatuar pikan 2 të nenit 11 statutit të RTSH, që përcakton të gjithë procedurën e  zgjedhjes së drejtorit. Nuk ka miratuar një procedurë standarde, e cila t’i përgjigjej nevojës që i kërkonte statuti dhe ligji Këshillit Drejtues”, theksoi Zhupa.

Këshilli Drejtues, shtoi Zhupa, vendosi të mos fusë në garë ata që nuk plotësonin kriteret dhe vendos të bëjë një parakonkurrim.

“Kontrollet e Kontrollit të Lartë të  Shtetit e nxirrnin Këshillin Drejtues aq të fajshëm sa edhe drejtorët e Përgjithshëm, të cilët njëri ka shkuar në burg e të tjerët janë kandidatë për burg në keqmenaxhimin dhe uzurpimin pa të drejtë të parave publike, të cilat jepen nga buxheti i shtetit për RTSH-në dhe nuk janë pak janë 23 milionë euro çdo vit, që shkojnë dhe përdoren për qejfet e Këshillit Drejtues, për një drejtor që bën qoka e për një tjetër që pushon nga puna e merr disa të rinj e për një tjetër akoma që rikthen ata të vjetrit e heq ata të rinjtë duke bërë koston dyfish më të madhe për të gjithë gjyqet që detyrohen pastaj këta punonjës të shkojnë dhe t’i fitojnë dhe të paguhen nga paratë e buxhetit të shtetit”, tha Zhupa.

Kuvendi  po shqyrton projektvendimet për lirimin e Gëzim Podgoricës dhe Genc Përmetit nga detyra e anëtarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar si dhe projektvendimet për shkarkimin e Leka Bungos nga detyra e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar si dhe shkarkimin nga detyra të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, Albert Minga, Ardita Reçi, Dionis Papadhimitri, Edmond Tullumani, Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Mevlan Shanaj dhe Milena Selimi.

Fraksion.com