“Makthi juaj Chriss LaCivita”, Klosi si Peleshi: Keni gjetur shpëtim te një kompani marketingu
Seanca plenare e ditës së sotme është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës, teksa po diskutohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e shtetasve shqiptarë jashtë vendit.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Flamur Noka hodhi akuza në drejtim të mazhorancës për korrupsion. Noka tha se “koha e zullumqarëve po merr fund”.
“Aleksi ishte perëndia juaj, ku është perëndia juaj? Tashmë ju ka pushtuar Satanai. Makthi juaj është Chriss LaCivita. Zbarkoi në Tiranë dhe ju nuk flini gjumë. Fundi juaj po vjen. Keni makthe se atje është një botë tjetër. Lali Eri do ta tërheqë këmbën zvarrë”, tha Noka.
Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Blendi Klosi tha se PD nuk po flet “asnjë fjalë për diasporën në ditën më të rëndësishme të votimit të Kodit, që do të thotë se për ju vota e diasporës nuk është as shpëtim, as e rëndësishme, dhe pikërisht sepse nuk është shpëtim për ju nuk është as e rëndësishme”.
Sipas Klosit, “PD ka gjetur shpëtim tjetër, që është një kompani marketingu”.
“Tani për një parti kaq të rëndësishme për Shqipërinë siç është PD, me 35 vjet eksperiencë, ta mbështesë gjithë shpresën tek një kompani marketingu, e cila paska hapësirën ta bëjë të zezën të bardhë, duket si dorëzim nga ana juaj. Nuk ka një shpëtim që vjen nga qielli, Shqipëria e së nesërmes do të ndërtohet nga shqiptarët. Mos na fyeni inteligjencën”, tha Klosi.
Vetë Noka u përgjigj duke theksuar se “për diasporën kemi folur çdo ditë”.
“Që nga nëntori 2014, 1.1 milionë shqiptarë i keni përzënë. 11 maji është dita që ata do t’ju kthejnë reston. Tufat e kryetarëve të bashkive, tufat e drejtorëve refuzohen kudo. Nuk ekzistoni më për shqiptarët. Nuk do të guxojnë më patronazhistët tuaj të terrorizojnë shqiptarët, se i pret fundit”, tha Noka.
Edhe Niko Peleshi, në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se PD duket e dorëzuar ndërsa e sheh “shpëtimin” në një kompani marketingu referuar drejtuesit të fushatës së PD nga Chris LaCivita.
“Asnjë fjalë për diasporën, që do të thotë se për ju vota e tyre nuk është as e rëndësishme as shpëtim. E rëndësishme është që keni gjetur shpëtim në një kompani marketingu.”, tha Peleshi.
Fraksion.com