“Ju që hiqeshit si aleatë të Amerikës jeni hajna”, Berisha akuza nga Kuvendi: U kapët me presh në duar
Në fjalën e tij në parlament kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza mbi qeverinë se e ktheu USAID-in në një gjenerator korrupsioni. Ai tha se paratë e taksapaguesve amerikanë u vodhën për të shkatërruar opozitën e vendit. Akuza hodhi edhe ndaj partneres së deputetit Bledi Çuçi.
“Ku është Çuçi? I them shit ç’të kesh dorëzo paratë e USAID aty, 10 milionëshin, ia vodhët taksapaguesve amerikane. I ndatë dhe i shpërndatë. Ku janë? Na thoni tani? Hë mor ju që hiqeshit si aleatë të Amerikës. Ju jeni hajna, ç’aleancë keni ju”, tha Berisha.
Ai i kërkoi deputetëve socialistë që ta pyesin kryeministrin Rama se çfarë ndodhi në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Jeni në një rrokullisje të madhe. Honet e historisë ju presin. Mos ecni sikur nuk ka ndodhur gjë. Merreni dhe pyeteni vetëm për Mynihun. Pyeteni pak. Këtë çështje është për ne çështje kryesore. Vjedhjet kombëtare dhe ndërkombëtare tuajat janë vepra më e rëndë kriminale që ka ndodhur”, tha Berisha.
Pas kësaj ndërhyri kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e cila i kujtoi se i ka mbarur koha.
“Koha mbaroi. Nuk la zonjë këtu pa përmendur. Nuk përmenden familjarët këtu, nuk përmenden gratë në kontekstin më të poshtër të mundshëm. As me kë janë të martuar, as me kë janë partnerë. Koha mbaroi”, tha ajo.
Përgjigje kreut të demokratëve i ktheu kreu i grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi.
“Raporti me SHBA po bëhet qesharak. Keni 35 vite këtu. SHBA janë dhe do të mbeten një aleat i madh, histori, strategjik për Shqipërinë. Ne nuk jemi qendra e botës, jemi një shtet i vogël, me rëndësinë e vet në aleancën e madhe euroatlantike, por për ne jemi aq larg sa SHBA janë gjithmonë njëlloj. Nuk mund të bëhemi pjesë e politikës së brendshme aty se do ishte qesharake. Nuk mund të ndërtojmë ne Shqipërinë duke u varur pas ndonjë togfjalëshi të liderëve europianë apo amerikanë e t’i ngjisim ato në kontekstin tonë, apo të zgjasim kokën të kapim ndonjë foto me liderët europianë. Shqipëria do alternativa, ta mbledhim mendjen si shqiptarë. Ti lemë mënjanë grindjet këtu pa asnjë bazë. Të mos fyejmë, të mos intimidojnë, mos linçojmë. T’i themi lamtumirë asaj, kohe dhe të flasim për të ardhmen. Jo të varemi pas shteteve të mëdha që nuk e kanë fare mendjen te ne se kanë sfida dhe probleme të tjera shumë më të ndryshme nga tona”, tha Peleshi.
Edhe pse mikrofoni nga foltorja nuk u ndez, Berisha nuk u ul në karrigen e tij. Përkundrazi i ktheu përgjigje Peleshit ndërsa për të komunikuar me audiencën hyri live në Facebook.
“Këto çështje nuk mund t’i kaloni siç i kaloni ju. A e kuptoni që jeni kapur me presh në dorë duke vjedhur taksapaguesit amerikanë? A e kuptoni që padrinoja juaj është kapur me presh në duar”, tha Berisha.
Pas këtij debati, kryeparlamentarja Spiropali vendosi që të ndërpresë seancën për disa minuta
Fraksion.com