AktualitetKosovaTë fundit

Grenell uron Kosovën në përvjetorin e pavarësisë, mbajtjen e Thaçit në Hagë e quan padrejtësi

I dërguari amerikan për operacione të posaçme, Richard Grenell, i ka uruar, siç ka thënë, miqtë në Kosovë për 17-vjetorin e shtetësisë së vendit.

“Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e madhe. Ati themeltar i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, do të duhej të festonte sot në Prishtinë – jo mbrapa grilave në Hagë”, ka thënë Grenell përmes një postimi në X – dikur Twitter.

Sipas tij, evropianët kanë dështuar që të veprojnë kundër “kësaj padrejtësie në pesë vjetët e fundit”.

“Edhe institucionet shtetërore të Kosovës, për shkak të politikës, kanë dështuar që të ndërmarrin veprime të domosdoshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie”, ka thënë mes tjerash Grenell në X.

Hashim Thaçi e ka shpallur pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008.

Ai po përballet me dy procese gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë, dhe është në paraburgim në qytetin holandez prej vitit 2020.

Thaçi pati ndërprerë një vizitë të planifikuar për në Uashington, në qershor të vitit 2020 – në mandatin e parë të presidentit amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë – pasi Zyra e Prokurorit u pati dërguar Dhomave të Specializuara në Hagë një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën emri i Thaçit përmendej për një sërë krimesh.

Në rastin e parë, ai akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, po ashtu ish-zyrtarë të lartë në Kosovë.

Më 6 dhjetor të vitit 2024, Thaçit i është konfirmuar edhe një aktakuzë e re për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin e parë gjyqësor.

Përveç Thaçit, në aktakuzën e dytë janë përfshirë edhe emrat e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakajt, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilajt, dhe Fadil Fazliut.

Ai është deklaruar i pafajshëm në dy rastet gjyqësore.

Thaçi e ka përmendur të paktën dy herë në dhjetor të vitit 2024, domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës nga Specialja, teksa ka përmendur se dy aktakuzat kundër tij janë ngritur vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.
Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.

Deri më tani, kjo gjykatë ka shqiptuar aktgjykime për krime lufte si dhe për pengim të drejtësisë.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Specile i ka shpallur fajtorë Haxhi Shalën, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin për akuzat për pengim të drejtësisë, më konkretisht, frikësim të dëshmitarëve, pas një marrëveshjeje të fajësisë që kanë arritur dy palët.

Shala është dënuar me tre vjet burgim, ndërkaq Bahtijari dhe Januzi me nga dy vjet burgim.

Në vendim nuk është bërë e ditur se për cilët dëshmitarë bëhet fjalë, apo për cilin rast gjyqësor.

Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Kontributi i SHBA-së në Gjykatën Speciale

Gjykata Speciale financohet nga Bashkimi Evropian, por edhe nga shtetet e treta kontribuuese, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia.

Dhomat dhe Prokuroria e Specializuar aktualisht kanë një buxhet prej 97.1 milionë eurosh, që përfshin periudhën nga 15 qershori i vitit 2023 deri më 14 qershor 2025.

I gjithë buxheti është financuar nga BE-ja, por shtete të tjera po ashtu kontribuojnë për programe të caktuara.

Në këtë kontekst, SHBA-ja kryesisht kontribuon në financimin e disa punonjësve.

Sipas raportit të fundit vjetor të Gjykatës, që i përket vitit 2023, SHBA-ja renditet e dyta, pas Holandës – shtetit mikpritës të selisë së Gjykatës – sa i përket numrit të punonjësve në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. SHBA-ja financon punëtorët e saj që janë të emëruar përmes autoriteteve shtetërore.

Në mesin e punonjësve amerikanë, janë edhe gjykatës dhe prokurorë të specilizuar. Nënkryetari i gjykatës është amerikani, Charles L. Smith III, ndërkaq kryeprokurore është amerikania, Kimberly West, që mori këtë post më 2023.

Gjykatësi Smith, po ashtu është gjykatësi kryesor në rastin më të madh pranë gjykatës, atë kundër ish-krerëve të UÇK-së: ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi. Në mesin e punonjësve amerikanë, janë edhe gjykatës dhe prokurorë të specilizuar.

Sipas të dhënave, deri më 31 dhjetor 2023, në Gjykatën Speciale ishin të punësuar 283 persona, nga ta afër 30 nga SHBA-ja. Numri i punonjësve të emëruar përmes autoriteteve shtetërore po ashtu është rritur më 2023 dhe tre nga ta ishin nga SHBA-ja dhe Zvicra./REL

 

Fraksion.com