Berisha: Të miratohet rezolutë që të dënojë aktet armiqësore ndaj shqiptarëve dhe demokracisë
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvend i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të miratojnë një rezolutë në të cilën të dënohen ato që i cilësoi si “akte armiqësore ndaj shqiptarëve dhe demokracisë”, arrestimi i liderëve opozitarë dhe kufizimi i lirisë së medias dhe rrjeteve sociale.
Sipas Berishës, arrestimi i liderëve opozitarë dhe kufizimi i lirisë së medias dhe rrjeteve sociale, e bëjnë Ramën një “armik të brendshëm”.
“Edi Rama të vijë urgjent në parlament dhe urgjent të miratohet këtu një rezolutë në të cilën të dënohen këto akte armiqësore ndaj shqiptarëve dhe demokracisë”, tha Berisha.
Duke iu referuar fjalës së zëvendëspresidentit të SHBA-së JD Vance në Mynih, kryedemokrati tha se “ky është rreziku më i madh i qytetarëve të Shqipërisë”.
“Po, ky është rrezik për të gjithë ata që aspirojnë dhe ëndërrojnë të jenë të lirë, dhe jo ata të cilët pasurohen në mënyrë të tmerrshme duke vjedhur qytetarët shqiptarë. Ndaj ju, duhet të ishit vetë ju, që të kërkonit një debat me urgjencë. Ky është vetëm njëri kapitull, natyrisht më dramatiku. Se ky ka të bëjë me sistemin, çfarë sistemi jemi. Jemi në sistem demokrat, apo jemi në sistem tiranie?”, tha Berisha.
“Ky është propozimi, hidheni në votë dhe pastaj vazhdojmë”, shtoi Berisha.
Fraksion.com