JD Vance: Nuk mund të fitohet duke burgosur liderin e opozitës
Në të parin fjalim si Zv/president i Shteteve të Bashkuara në një samit ndërkombëtar si Konferenca e 46-të e Sigurisë në Mynih, James David Vance kritikoi ashpër Bashkimin Europian se ka braktisur vlerat demokratike. Ai tha se një mandat demokratik nuk mund të fitohet duke burgosur liderin e opozitës, duke shpërfillur elektoratin apo duke censuruar fjalën e lirë.
“Në Amerikë, nuk mund të fitosh një mandat demokratik duke censuruar kundërshtarët ose duke i futur në burg. Qoftë lideri i opozitës, një e krishterë e përulur që lutet në shtëpinë e saj, apo një gazetare që përpiqet të raportojë lajmet. As nuk mund ta fitoni një të tillë duke shpërfillur elektoratin tuaj bazë për pyetje të tilla si, kush duhet të jetë pjesë e shoqërisë sonë të përbashkët”.
Për Vancen, Europës i vjen e keqja nga brenda.
“Kërcënimi që i kanoset Europës, për të cilin shqetësohem më shumë, nuk është Rusia, Kina apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Shqetësohem nga kërcënimet e brendshme. Tërheqja e Evropës nga disa vlera të saj më themelore, vlera të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Britani dhe në mbarë Europën, kam frikë se fjala e lirë është në rënie”.
Kritika të tilla, europianët nuk i kishin dëgjuar më parë nga Uashingtoni, ndaj dhe shumë prej krerëve të vendeve europiane kundërshtuan qëndrimin e tij, por zv/Presidenti Vance u la atyre një mesazh të qartë.
“Në Uashington, një sherif i ri ka marrë në dorë qytetin. Nën udhëheqjen e Donald Trumpit mund të mos biem dakord me pikëpamjet tuaja, por do të luftojmë të mbrojmë të drejtën tuaj për tu shprehur publikisht, doni apo s’doni ju”
Zevendëspresidenti amerikan iu përgjigj edhe kritikave të Europës se me deklaratat e tij, Elon Musk po ndërhynte në zgjedhje duke thënë se të flasësh dhe të shprehësh opinione nuk është ndërhyrje. Por ai theksoi se largimi nga shqetësimi i qytetarëve apo mbyllja e mediave dhe anulimi i zgjedhjeve janë mënyra më e sigurt për të shkatërruar demokracinë./Tv Klan
Fraksion.com