AktualitetPolitikëTë fundit

“Shteti Bektashi”, Berisha: Përpjekje për të përçarë besimin mysliman në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se tubimi i organizuar para SPAK nga mbështetës të kreut të Bashkisë, Erion Veliaj “ka ndodhur vetëm në Kolumbi në vitet ’80, kur u sulmua gjykata në një grusht të mirëfilltë shteti”.

Gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se u goditën makinat e gjykatësve, rrogëtarë të shtetit në orar pune. “Policia bashkia dhe policitë civile rrethuan gjykatën dhe makinat e gjykatësve, u rikthyen skenat e viteve ’80 të Eskobarit në Kolumbi, në të cilat u vranë gjykatës, u vranë prokurorë dhe u zhdukën pa nam dhe nishan”, tha ai.

Lidhur me arrestimin e Kreut të Bashkisë, Berisha tha se “Edi Rama kishte paralajmëruar arrestimin e Erion Veliajt, por nuk parashikoi dot se me Erion Veliajn po priste degën ku rrinte vetë”.

“Edi Rama ndoshta donte arrestimin e tij në dhjetor apo pak më parë, kur ai e zëvendësoi pothuajse plotësisht me treshen tjetër elektorale në Tiranë. Ajo ndodhi në një kohë kur ndoshta nuk ishte koha më e përshtatshme për të”, tha Berisha.

I pyetur mbi mundësinë e një qeverie teknike para zgjedhjeve, Berisha pranoi se “PD po lufton për këtë”.

Lidhur me krijimin e shtetit bektashi, Berisha tha se njohja e shteti me bankë e pasaporta diplomatike do të thotë të krijosh strehën më gjigante të trafikantëve të mbarë botës.

“Ne kemi marrëdhënie shumë të mira, respektin më të madh për drejtuesit e komuniteteve fetare. Rolin e tyre si udhëheqës shpirtëror të këtij kombi, frymëzues nga gurrat besimeve të shqiptarëve. Dhe ne do të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Besimi ynë tek Zoti, por dhe vlera të tjera hyjnore që ne ndajmë të sanksionuara në librat e shenjtë janë një faktor tjetër i respektit, bashkëpunimit të ndërsjelltë. Familja e cila në besimet fetare është sa hyjnore dhe tokësore. Atdheu. Pra shtyllat kryesore të programi i kemi të përbashkëta me besimet fetare në Shqipëri. Lidhur me shtetin Bektashi, kjo është një përpjekje armiqësore për të përçarë besimin mysliman në Shqipëri dhe një goditje indirekte e besimeve të tjera”, tha kreu i PD-së.

Ai vlerësoi se “bektashinjtë shqiptarë të cilëve unë u shpreh respektin tim më të thellë, kanë patur një rol të veçantë në historinë e këtij kombi dhe vendi. Kurrë përpjekjet e tyre gjigante nuk kanë qenë veç se për një shtet sovran, unik, për një Shqipëri të pavarur dhe unike. Asnjëherë për një shtet islamik, asnjëherë për një shtet sovran në kurriz të sovranitetit të Shqipërisë. Asnjëherë nuk kanë ëndërruar një shtet si Vatikani, sepse ata dinë që Shqipëria është një vend plureligjoz. Shqipëria është dheu i myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve, protestantëve dhe Shqipëria përbën modelin më të shkëlqyer të bashkëpunimit dhe tolerancës ndër fetare”.

“Krijimi i një shteti me ekstraterritorialitet në Kryegjyshatën e Tiranës dhe 170 teqe, siç predikon Edi Rama, është një copëzim i tmerrshëm i territorit të Shqipërisë që nuk mund të ndodhë kurrë. Njohja e sovranitetit të një shteti me bankë dhe pasaporta diplomatike të lëshuara prej tij, etj., etj., do të thotë të krijosh këtu strehën më gjigante të trafikantëve të mbarë botës. Jashtë kontrollit ndërkombëtar financiar. Nuk ka bektashi të ndershëm në Shqipëri që pranon një projekt të tillë antishqiptar, antifetar, antikombëtar”, deklaroi Berisha.

Për zgjedhjet e përgjithshme në 11 maj, kreu i PD-së u shpreh se Rama është i gatshëm për gjithçka. “Por të jeni të sigurt se asgjë nuk e shpëton nga verdikti i shqiptarëve në 11 maj”, deklaroi ai.

Fraksion.com