Vengu, takime në ministerialin e NATO-s: Vëmendje strategjike për rajonin
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë ministerialit të NATO-s në Bruksel, zhvilloi bisedime me homologët nga SHBA, Franca, Italia, Kroacia dhe Hungaria, me fokus forcimin e bashkëpunimit ushtarak.
Ministri Vengu bëri të ditur se takimi u fokusua në vëmendjen strategjike për rajonin dhe çuarjen përpara të projekteve të përbashkëta në industrinë e mbrojtjes dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
“Kënaqësi të përshëndesja Sekretarin e ri të Mbrojtjes të SHBA-së, Pete Hegseth dhe ta uroja për detyrën e re. Dakordësuam të vijojmë ndërveprimin në nivelet më të larta për objektiva të përbashkëta”, u shpreh Vengu.
Po ashtu, Vengu theksoi se me homologun francez, Sebastien Lecornu u bashkërenduan disa hapa në funksion të modernizimit të Forcave të Armatosura, me synim konkretizimin e projekteve në kohë sa më të shpejtë.
Në takimin me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Kroacisë, Ivan Anusic, Vengu informoi se u ra dakord për të forcuar më tej marrëdhëniet, me fokus të veçantë bashkëpunimin në Kosovë dhe sigurinë në rajonin Adriatiku-Jonian.
Në këtë kuadër, Vengu ftoi kolegun kroat për një vizitë në Tiranë.
Me ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosseto, ministri Vengu diskutoi mbi avancimin e projekteve për transformimin e kapaciteteve në tokë, ajër dhe det.
“I bindur që shumë shpejt do kemi një sërë rezultatesh cilësore me impakt në hapësirën detare. Me kolegët italianë konvergojmë gjithashtu në rritjen e stërvitjeve, trajnimeve, edukimit”, shtoi ai.
Po ashtu, një bisedë produktive Vengu zhvilloi edhe me homologun hungarez, Szalay-Bobrovniczky Kristof me të cilin u trajtua mundësia për forcimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, edukimin në fushën e mjekësisë dhe shkëmbimin e eksperiencave në siguri dhe mbrojtje.
“Gjithashtu kënaqësi të përshëndesja Sekretarin e Përgjithshëm, Pres Mark Rutte të cilin e vlerësova për lidershipin e tij në drejtimin e Aleancës Euroatlantike në këto kohë sfiduese”, theksoi Vengu.