“Shtohen motorët e turizmit të kryeqendrës së Veriut”, Rama nxjerr videon: Rruga Shirokë-Zogaj përfundon këtë vit
Rruga Shirokë-Zogaj është një nga projektet më të rëndësishme që po realizohen me ritëm të shpejtë në Shkodër.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet në kantierin e rrugës Shirokë-Zogaj, ku thekson se aksi është “një nga investimet e shumëpritura strategjike të zhvillimit të zonës së Shkodrës që përfundon këtë vit”.
Sipas Ramës ,rruga do krijojë “edhe një lidhje të re mes Shqipërisë e Malit të Zi, si edhe do t’i shtojë motorët turizmit të kryeqendrës së Veriut”.
Ky projekt po zbatohet nga kompania “ALB Star”, e cila fitoi kontratën 4,7 milionë euro, teksa parashikohet që punimet të përfundojnë më 2 tetor 2025.
Rruga Shirokë-Zogaj-Pika e re kufitare me Malin e Zi (Krajë) është pjesë e mozaikut të investimeve në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës. Kjo rrugë pritet të rrisë turizmin në zonë, përveç ndikimit për akses më të mirë në infrastrukturë të komuniteteve lokale.
Fraksion.com