“Prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time”, Veliaj reagon sërish nga qelia: E vërteta ime do dalë…
Një reagim tjetër nga qelia i kryebashkiakut Erion Veliaj. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai hedh akuza ndaj kryedemokratit Sali Berisha, prokurorit të çështjes së tij Ols Dado dhe gjykatësit që dha vendimin, Erjon Bani. Duke theksuar se “në gjirizet mediatike po flitet vetëm për fustanet e gruas së tij”,tregon dhe se çfarë pyetjesh i ka bërë prokurori kur e ka marrë në pyetje.
“Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që neveriten kur shikojnë se si dalin nga gjirizet mediatike fustanët e sime shoqeje. Por, a ma thotë dot kush, ku është maunia me gati 1 milion Euro mall? Se për1 milion Euro mall duhet një dyqan si ai i brekëve dhe sutjenave të nuses së Sali fundërrinës në Bllok apo jo? Përderisa edhe lavamanët i shkulën nga vendi në gjithë ambientet në Tiranë e në Golem, për të kërkuar ndonjë varëse floriri të fshehur, në mure e dysheme, ku dihet botërisht se jetojmë në pallat të ndërtuar në vitin 2012 (kam hyrë në atë apartament kohë më parë se sa të bëhesha kryetar bashkie, leje e Komunës Farkë e Bardh Plakut, as e dhënë nga unë vetë), atëherë duhet t’i kishin provat materiale besoj, apo jo? Kanë blerjet online do thoni ju. Por, ja që e vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time, që gjatë intervistës më tregonte se si kontrollonte gruan e tij dhe më pyeti edhe “çfarë hamë?”. Po po, e lexuat mirë, çfarë hani ju tha! Pa merak, se do ju’a tregoj edhe këtë, këtu jemi! U pa puna, ata me letra anonime dhe metoda sigurimse, unë me letra nga burgu, ku më morën peng pa gjyq.”
Veliaj shkruan se akuzohet për korrupsion pa asnjë lloj prove dhe mbahet në burg, pikërisht për ta shmangur nga ballafaqimet. Thotë me bindje se e vërteta e tij do të dalë e gjitha!
“Po si është e vërteta? E vërteta ime do të dalë e gjitha, jini të bindur. Por, mundohuni të kuptoni, se sa më e vështirë bëhet kjo betejë krejt e pabarabartë, kur të marrin peng, siç më kanë marrë mua, dhe flasin vetëm ata, duke furnizuar gjirizët me “faktet” e tyre të njëanshme. Unë jam akoma person i dyshuar, se s’më kanë marrë dot të pandehur, ngaqë nuk kanë një fakt të vetëm, as në dosjen prej sigurimsi të Ols Dados. Aty nuk gjendet dot një rresht ku të thuhet se i kam kërkuar apo marrë rryshfet dikujt ose se është gjetur ndonjë lek i pajustifikuar. Por, ndërkohë unë akuzohem për korrupsion. A nuk duket se më kanë mbyllur brenda, pikërisht që të mos ballafaqohesha me “faktet” e me gazetarët “kompetentë”, që furnizohen nga prokurorët edhe përpara avokatëve? Gjejani vetë përgjigjen kësaj pyetjeje, se ndryshe nga Ols violina dhe gjithë fyejt e qemanetë e gjirizëve, unë nuk ngre akuza pa prova. Në thertoren e Erjon Banit – se vetëm sallë gjyqi nuk qe – kërkova që Ols Dado të largohet nga çështja dhe të futet në dosje si një prokuror që ka përdorur telefonin e paguar nga taksat për të kërkuar leje ndërtimi për veten e tij. Ndërsa, për adashin tim gjykatës s’kam çfarë them fare. I bërë njësh me prokurorin dhe i paduruar që t’i jepte Sali fundërrinës lajmin e mirë të pengmarrjes time pa gjyq. Bekime e përqafime të gjithëve, mbani besimin dhe kokën lart për Tiranën tonë që ka nevojë për energjitë pozitive të secilit, pavarësisht rrethanave të momentit! Forca!”, shkruan kryebashkiaku.
Kujtojmë se Veliaj është transferuar dje në ambientet e paraburgimit në Durrës, pasi Gjykata e Posaçme i verifikoi masën e sigurisë “arrest me burg” për dy vepra penale, atë të korrupsionit pasiv në 9 episode dhe pastrimit të parave. E njëjta masë u mor për biznesmenin Elman Abule, ndërsa për 5 të tjerët u vendos “detyrim paraqitje”. Ndaj bashkëshortes së kryebashkiakut, Ajola Xoxa, u caktua masë më e lehtë. Nga “arrest në shtëpi”, togat e zeza i caktuan masën e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, për 3 vepra penale.
Fraksion.com