Pediatria e Specialiteteve në QSUNT së shpejti me kushte bashkëkohore
Pediatria e Specialiteteve në QSUNT hap dyert për pak ditë për të ofruar kushte bashkëkohore dhe një atmosferë të ngrohtë për vogëlushët që kanë nevojë për kujdes mjekësor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot pamje nga ky investim, të cilit po i jepet dora e fundit nga artistët e muraleve që po vizatojnë figura të dashura për fëmijët nëpër mure.
Punimet përfshinë krijimin e hapësirave moderne dhe të pajisura me teknologji bashkëkohore, të cilat do të akomodojnë disa nga shërbimet më të rëndësishme për kujdesin pediatrik, siç është Onkohematologjia, Pediatria e Specialiteteve, Pneumo-Alergo, Endokrinologjia, Neurologjia, Gastrohepatologjia, Fizioterapia, Nefro-dializa dhe Shërbimi i Gjenetikës me një laborator të integruar, i cili do të ofrojë një gamë të gjerë testesh laboratorike gjenetike.
Investimi ka përmirësuar infrastrukturën dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të rehatshëm për pacientët e vegjël dhe personelin shëndetësor, duke siguruar standardet më të larta të cilësisë në shërbimet shëndetësore.
Shërbimet që do të akomodohen në këtë pjesë përfshijnë diagnostikim të avancuar, trajtim multidisiplinar dhe mbështetje për rastet më komplekse pediatrike.
Me përfundimin e fazës së dytë kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUNT.
Fraksion.com