“Ministri i Brendshëm gënjeu dje Kuvendin”, Bardhi: Të shkarkohet menjëherë, u bë grusht shteti ndaj gjyqësorit
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në Facebook pas letrës së dërguar nga SPAK dhe GJKKO drejt Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme.
Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij.
Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje.
Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht.
E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit. Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE!
Fraksion.com