Dhoma e Tregtisë së Katarit, e gatshme të mbështesë sipërmarrjet të investojnë në Shqipëri
Një delegacion shqiptar biznesi, i kryesuar nga kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Nikolin Jaka, zhvilloi një vizitë zyrtare në Doha, ku është pritur nga Dhoma e Tregtisë e Katarit.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Endrit Yzeiraj, zv.ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropës, Dilfirus Vrioni nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Julian Adili nga Korporata Shqiptare e Investimeve, Dritan Delia nga “The Technical and Economic Development Area” (TEDA), si edhe përfaqësues të kompanive shqiptare me potenciale për eksport.
Delegacioni shqiptar u prit nga zv. presidenti i Dhomës së Tregtisë së Katarit, Rashid Bin Hamad Al Athba. Vizita u fokusua në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Katarit, duke theksuar mundësitë për investime në sektorët strategjikë si: energjitë e rinovueshme, turizmi, bujqësia, agropërpunimi, dhe teknologjia informative.
Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i Bankës së Zhvillimit në Qatar, Ali Sultan Al Kuwari deklaroi se janë të gatshëm për të mbështetur çdo nismë të sipërmarrjeve në Katar që kërkojnë të eksplorojnë tregje të reja, mes tyre edhe Shqipëria.
“Ne do të donim të bashkëpunonim me ju dhe të promovojmë produktet dhe shërbimet e Katarit dhe ju ftojmë që të shikoni programin e investimeve për start up tona, ne kemi një ofertë të mirë dhe ju inkurajojmë ta lexoni dhe të mësoni më shumë për të”, u shpreh Ali Sultan Al Kuwari.
Në përfundim të vizitës, ndërmjet dy dhomave të tregtisë, të Tiranës dhe Katarit u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi, i cili do të hapë mundësi të reja për bashkëpunim të ndërsjellë dhe zhvillimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.
Ky hap i rëndësishëm pason një sërë takimesh me biznesin të organizuara me kërkesën e Ambasadorit të Katarit në Shqipëri, Jabor bin Ali Al Dosari.
Fraksion.com