AktualitetPolitikëTë fundit

Votimi nga jashtë, Berisha: Ndryshimet në Kod do t’i votojmë, por jo nën censurë

Pas debateve mes mazhorancës dhe opozitës Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali shtyu seancën e sotme plenare për ditën e hënë.

Në rendin e ditës ishin parashikuar edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një prononcim për mediet tha se do t’i votojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por jo nën censurë.

“Ndryshimet e Kodit ne do t’i votojmë, sepse kanë të bëjnë me votën e emigrantëve dhe sigurisht që del e qartë si kristali se, Edi Rama konstaton se ajo votë është kundër tij dhe se po bën gjithçka për ta bllokuar. Por ne votojmë, kurrë nën censurë. Censura është e papranueshme”, tha Berisha.

Kryedemokrati akuzoi mazhorancën se po i bën mbrojtjen Erion Veliajt.

“Ju e patë sot, çështje kryesore për socialistët nuk ishte vota, problemet e qytetarëve, por avokatia ndaj një hajduti të shpifur, Erion Veliajt, të cilin tani përpiqen ta shfajësojnë, për të cilin janë vërsulur me tërbim me të gjithë egërsinë e tyre, atyre që vendosën arrestimin e tij”, tha Berisha.

Fraksion.com