Veliaj jo i pandehur, Rama: Qytetarët e kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë, kush do e drejtojë Tiranën
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit e tij në rrjetet sociale se është në detyrën e Kryeministrit me qëllimin e vetëm për ta ulur Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Evropian.
“Jam këtu për ta parë me sytë e mi atë Albania në atë tryezë dhe jo të vihet Albania kur na ftojnë atje dhe të hiqet kur ikim ne. Dhe për ta parë flamurin kuqezi që e kam këtu në zyrë bashkë me flamurin e Bashkimit Evropian, për ta parë atje. Kjo është gjithë beteja ime nga A te ZH dhe pastaj vazhdoni ju me të rinjtë”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal sërish te procesi i arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe te shkelja e standardeve demokratike në këtë proces, ku sipas Ramës duhet të jetë figura e gjyqtarit që ekuilibron çdo ekstremitet në proceset hetimore.
“Kryetari i bashkisë nuk është shpallur fajtor, nuk është as i pandehur. Është një person i dyshuar dhe mbahet atje. Kush do ta drejtojë Tiranën? Kush do i bëjë një mijë e një punët që ka bashkia për qytetarët dhe qytetarët e kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë. Kush? Stamo Dumua apo gjykatësi”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, prokurori është njëri ekstrem mes dy ekstremeve, midis organit të akuzës dhe të akuzuarit, por gjykatësi është garanti. Rama tha se me “Reformën në Drejtësi ne kemi vendosur figurën e panjohur më parë të gjykatësit paraprak që shoqëron procesin bashkë me prokurorin, siç bëhet në vendet demokratike, ky gjykatësi paraprak i thotë prokurorit ik, kthehu, ke prova të mjaftueshme, vazhdo?”.
“Jo që të bëhet ky mbi prokuror? Këtu na është bërë gjykata, stërspeciale që rrit peshën e dënimit paraprak. Shkon prokurori i SPAK-ut te gjykatësi dhe mund të thotë kam këto konkluzione kërkoj këtë masë, ik thellohu se këtij duhet t’i vësh masë më të rëndë. Arrihet deri këtu sa gjykatësi arsyeton në një vendim famoz, kërkon opinionin publik se kam mosbesim opinioni, prandaj duhet t’ia rëndoni masën këtij që të na besojë opinioni këtu”, theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se për gjykatësit nuk është çështja te opinioni, se prandaj që në kohën e shtetit të parë, edhe në kohën e Sulltanëve në Stamboll gjykatësi ishte mbi Sulltanin, mbi opinionin.
“Dhe për këtë arsye, gjykatësit si një forcë e pazgjedhur nga populli i jepet pushteti për të hetuar dhe gjykuar mbi çdo rast kur ata të zgjedhurit janë në shkelje të kontratës me popullin, me Kushtetutën dhe ligjin”, tha Rama.
Fraksion.com