AktualitetPolitikëTë fundit

“U binin me duar e me këmbë makinave të prokurorëve”, ministri i përgjigjet Bardhit për grumbullimin te SPAK për Veliajn: Ishte i menjëhershëm, morëm masa

Bardhi: Dua të denoncoj precedentin e djeshëm ku një turmë kanë pushtuar ambientet e jashtme të SPAK dhe nuk a pasur polici për grumbullimin e paligjshëm, mungesa e policisë atje, me një grup personash të filmuar dhe identifikuar, drejtorët e bashkisë së Tiranës që urdhëronin punonjësit e administratës që të dilnin në mbështetje të një personi të akuzuar për miliona euro vjedhje. Jo vetëm që nuk ka pasur asnjë veprim për tubimin e paligjshëm dhe mungesë të Policisë duke mos vepruar, por u pengua edhe transferimi i të arrestuarit për korrupsion për ta dërguar anë paraburgim.

Duhet të merren masa që nga drejtori i Policisë së Shtetit dhe deri më poshtë, kjo nuk ka ndodhur kurrë, këta njerëz paguhen me taksat e qytetarëve të Tiranës. Nuk kemi dëgjuar asnjë procedim penal ndaj drejtorëve batakçinj, hajdutë, të Bashkisë së Tiranës për protestën e paligjshme dhe bllokimin, dhe asnjë masë ndaj këtyre personave që bënë shkeljen dhe bllokuan për orë të tëra rrugë të Tiranës. U binin me duar e me këmbë makinave të prokurorëve.

Hoxha: Nuk është e vërtetë, dje në mënyrë të menjëhershme simpatizantë janë grumbulluar te SPAK për të mbështetur kryetarin e Bashkisë. Nuk jemi në kushtet e një lajmërimi për protestë, por në kushtet kur këta simpatizantë donin të ishin prezent në dhënien e vendimit. Kur këta u grumbulluan, u dërguan edhe forcat e Policisë atje deri në fund të vendimit. Është e vërtetë që për grumbullim të menjëhershëm pati bllokim, por nuk është e vërtetë që Policia e Shtetit nuk mori masa, por shkuan për të siguruar perimetrin e SPAK. Menjëherë pas grumbullimit kanë shkuar efektivë të policisë. Dhe për të theksuar, dje nuk ka pasur asnjë incident, e theksoj asnjë dëm gjatë atij grumbullimi dhe asnjë shkelje.

 

Fraksion.com