AktualitetPolitikëTë fundit

Në seancën e sotme plenare, ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës dhe shkarkimi i Këshillit Drejtues të RTSH

Kuvendi zhvillon sot seancë plenare ku në rend të ditës është një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, kërkuar nga deputeti Asllan Dogjani.

Më pas do të shqyrtohet projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.

Në rendin e ditës në Kuvend është edhe projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.1/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, në kuadrin e kësaj konvente, të zbatueshme që nga 1 janari 2025”.

Më pas do të diskutohet projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe dy projektvendime për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Gjithashtu  Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.

Në seancë pritet të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do mbajë funksionin e Kryetarit të Bordit”.

Gjithashtu do të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2025”.

Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë projektvendimet për lirimin e Gëzim Podgoricës dhe Genc Përmetit nga detyra e anëtarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar si dhe projektvendimet për shkarkimin e Leka Bungos nga detyra e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar si dhe shkarkimin nga detyra e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, Albert Minga, Ardita Reçi, Dionis Papadhimitri, Edmond Tullumani, Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Mevlan Shanaj dhe Milena Selimi.

 

Fraksion.com