Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Gjiknuri: Shifër surprizë e regjistrimeve nga Diaspora, adresojmë problematikat
Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri tha sot gjatë fjalës së tij në Kuvend, se ndryshimet në Kodin Zgjedhor nisen nga premisa për të lehtësuar gjithë procesin e votës së Diasporës.
“Jemi të surprizuar, pse jo të gëzuar që janë mbi 130 mijë shtetas që janë regjistruar në listat zgjedhore si zgjedhës që votojnë nga jashtë, një shifër impresive. Me këtë ritëm, procesi pritet të shkojë në 200 mijë apo më shumë zgjedhës, edhe nëse kjo shifër do të jetë reale me pjesëmarrjen, Shqipëria do të realizojë një rekord sepse pak vende, madje edhe Kosova që jetën politike e ka ndërtuar me Diasporën, nuk e ka arritur këtë shifër kur e ka përfshirë për herë të parë Diasporën në votime”, tha Gjiknuri.
Sipas deputetit të PS-së, ndryshimet në Kodin Zgjedhor po bëhen për të adresuar problematikat, për lehtësitë administrative që ka kërkuar KQZ për më shumë kohë, me qëllim që zarfi të shkojë dhe të vijë te qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë në kohë.
“Në këtë projektligj ne adresojmë edhe një shqetësim tjetër. Kërkesa që kanë pasur shumë qytetarë që kostot e postës, posta e shpejtë dhe e sigurt që ka një kosto jo të lirë, rreth 30-40 euro kosto për votë, kjo të përballohet nga buxheti i shtetit. Kjo është një lehtësi, sepse ne i mbajmë këta njerëz të angazhuar, u lehtësojmë ushtrimin e votës së tyre dhe nuk ka asgjë partiake këtu”, pohoi ai.
“Në Kodin Zgjedhor dolën edhe disa probleme që të tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e të drejtës së votës së Diasporës. Me të drejtë opozita kërkoi, pavarësisht se në vitin 2024 kur bëmë Kodin Zgjedhor ky problem nuk u ngrit dhe u mor i mirëqenë që administrimi i procesit të numërimit të zbatohej nga një staf teknik i KQZ-së, siç bëhet edhe sot. Me vullnetin e mirë ne gjetëm dakordësi të kompozojmë komision të natyrës politike për administrimin e votës së Diasporës, nëpërmjet KZAZ-ve përkatëse, me pjesëmarrjen e publikut të gjerë, përfaqësuesit e partive, numëruesit e partive, gjë që e bën votën transparente dhe llogaridhënien më të qartë”, theksoi Gjiknuri.
Gjiknuri nënvizoi edhe faktin se këto ndryshime nxorën në pah edhe një defekt tjetër që sipas tij ka të bëjë me barazinë e garës.
“Një ka të bëjë me kohën në dispozicion për reklama politike, fushata në media për kandidatët e partive politike. Me ndryshimet në Kodin Zgjedhur u kemi dhënë mundësi që 140 minuta reklamë te jetë në dispozicion për kandidatët të listave parapëlqyese. Nga ana tjetër, ky propozim solli një nevojë tjetër që ka të bëjë me financim, të kesh mundësi të bësh financë duhet të kesh edhe financa. Kemi vënë një tavan tre milionë lekë, ku kandidati mund t’i deklarojë nga shpenzimet e tij të cilat nuk llogariten te vlera e shpenzimeve të partisë politike”.
“Tavani i shpenzimeve të partive politike mendohet të rriten, nga trefishi që përfiton partia më e madhe do të shkojë në pesëfish një shifër rreth gjashtë milionë euro për një parti për shpenzime gjatë fushatës elektorale”, theksoi deputeti i PS.
Gjiknuri u ndal edhe tek mosdakordësia me PD-në në lidhje me dokumentet që i lejohen shtetasve nga jashtë për të votuar, në rastin kur ata nuk kanë dokumente biometrike shqiptare, pasi opozita kërkon të përdoren për votim edhe dokumentet e shteteve ku emigrantët jetojnë.
“Le të pranohet edhe votimi me dokumente të huaja, thotë PD. E para, edhe nga aspekti i parimit, një njeri që ka humbur lidhjet me Shqipërinë ndër vite dhe s’ka asnjë interes të marrë një dokument në këtë vend, vota e tij nuk përcakton fatet e vendit”, tha Gjiknuri.
“Sipas Bylykbashit, kur flitet letërnjoftim apo pasaportë nuk e ka përcaktuar që duhet të jetë e Shqipërisë, pra le vend për interpretim. Le t’ia kalojmë Komisionit Rregullator për të gjetur një zgjidhje interpretuese nëse ata do e gjykojnë të tillë. Ne i hapim rrugën ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, i japim më shumë kohë KQZ të administrojë votën e Diasporës, votuesve nga jashtë të kenë kohë të votojnë etj”, përfundoi ai.
Fraksion.com