AktualitetBota+Të fundit

Ndihmësi i kancelarit gjerman: Plani i Trumpit për Gazën një “krim i madh lufte”

Nils Schmid, një nga ndihmësit më të afërt të kancelarit gjerman Olaf Scholz, vlerëson se plani i presidentit amerikan Donald Trump për të dëbuar palestinezët nga Gaza do të ishte një krim lufte.

“Ne e refuzojmë këtë mundësi. Kjo do të përbënte një krim të madh lufte”, tha Schmid për Anadolu, duke shtuar: “Në vend të kësaj, ne duhet të synojmë vendosjen e një zgjidhjeje me dy shtete përmes negociatave”.

Schmid tha se socialdemokratët gjermanë (SPD) kanë mbështetur gjithmonë të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër terrorizmit, por ata gjithashtu presin që qeveria izraelite të respektojë të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar.

“Populli palestinez ka të drejtën e vetëvendosjes dhe të drejtën për të jetuar me dinjitet në shtetin e vet”, tha ai, duke theksuar se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin e Gazës dhe se duhet të ringjallen përpjekjet diplomatike.

– Sfida të reja me presidencën e Trumpit

Përpara zgjedhjeve të 23 shkurtit në Gjermani, sondazhet e fundit e vendosin SPD-në në 16 për qind, shumë prapa Kristian Demokratëve të qendrës së djathtë (CDU/CSU) me 29 për qind.

Duke qenë se blloku CDU/CSU nuk ka gjasa të sigurojë një shumicë parlamentare, analistët presin që ata të ndjekin një qeveri koalicioni me SPD për të krijuar një administratë të qëndrueshme.

Schmid, i cili është zëdhënësi i punëve të jashtme të grupit parlamentar të SPD-së, theksoi se menaxhimi i marrëdhënieve me SHBA-në nën presidentin Donald Trump do të ishte një sfidë vendimtare për çdo qeveri të ardhshme koalicioni.

“Ne, socialdemokratët, dhe ne evropianët, duhet të mbrojmë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ligjin ndërkombëtar dhe shpresojmë që miqtë tanë amerikanë, të cilët ndihmuan për të vendosur këtë rend, do të kontribuojnë gjithashtu për ta mbrojtur atë”, tha ai duke shtuar:

“Fatkeqësisht, Trump e sheh veten si një tregtar të madh, kështu që ai nuk dëshiron vërtet të zbatojë rregulla, por të bëjë marrëveshje. Kjo ndryshon natyrën e diplomacisë amerikane dhe ne duhet t’u kthehemi këtyre rregullave. Sepse vetëm disa fuqi të mëdha, fuqi të mëdha mund të jetojnë pa rregulla, por shumica e kombeve kanë nevojë për këto rregulla dhe ne do t’i mbrojmë ato”, shtoi Schmid.

– Gjermania shpreson të gjejë gjuhë të përbashkët

Iniciativat kontroverse të politikës së jashtme të Trumpit gjatë muajit të tij të parë në detyrë ngritën shqetësime serioze në të gjithë kryeqytetet evropiane dhe hodhën dyshime mbi të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike.

Presidenti i SHBA-së ka insistuar të ketë kontrollin mbi Grenlandën, një territor danez i pasur me minerale dhe i vendosur strategjikisht në Arktik. Trump gjithashtu njoftoi planet për të vendosur tarifa tregtare për mallrat evropiane, për të trajtuar deficitin tregtar me BE-në, si dhe kërkoi që aleatët evropianë të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së.

Vendimet e tij për të tërhequr SHBA-në nga disa organizata të OKB-së dhe për të ndalur fondet për programet ndërkombëtare kanë ngritur gjithashtu shqetësime.

Schmid tha se Gjermania shpreson të gjejë gjuhë të përbashkët me administratën e Trumpit duke u fokusuar në interesat e përbashkëta, duke theksuar se të dyja palët e njohin rëndësinë e partneritetit transatlantik.

“Mendoj se në të dyja anët e Atlantikut ka një interes të shtuar për të rritje, për të pasur më shumë punësim dhe për të investuar në teknologjinë moderne. Dhe unë mendoj se një axhendë e përbashkët e rritjes duhet të jetë fokusi i interesit tonë të përbashkët”, tha ai.

 

Fraksion.com