Modelja Bella Hadid: Palestina do të jetë gjithmonë e palestinezëve
Modelja palestinezo-amerikane me famë botërore Bella Hadid në postimin e saj në Instagram tha se “Palestina do të jetë gjithmonë e palestinezëve”.
E njohur për mbështetjen e saj të fortë për Palestinën, Hadid postoi në llogarinë e saj në Instagram një pikturë dore të ngjyrosur në formën e një fete shalqiri që është simboli i rezistencës palestineze dhe në të cilën shkroi “Palestina u përket palestinezëve”.
“Palestina u përket gjithmonë palestinezëve. Kjo kështu ka qenë dhe kështu do të mbesë gjithmonë”, tha Hadid.
Ajo vuri në dukje se rrënjët e kulturës, prejardhjes dhe historisë palestineze “nuk mund të shkulen dhe të merren nga asnjë fuqi, para apo person”. “Thellësia e së vërtetës që zotëron populli palestinez do të jetojë gjithmonë. Dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë”, shkroi Hadid.
Më tej Hadid theksoi se palestinezët e prekur nga sulmet në Gaza dhe Bregun Perëndimor duhet të kenë të drejtat themelore të njeriut.
“Ata meritojnë lirinë për të ardhur dhe për të shkuar si të duan. Ata meritojnë të mbeten të lidhur me tokat ku paraardhësit e tyre jetuan, i donin dhe ndërtuan familjet dhe komunitetet e tyre për qindra vjet. Ata nuk duhet të jetojnë në frikë, poshtërim apo nën pushtim”, tha modelja palestinezo-amerikane./AA
Fraksion.com