AktualitetBota+NATO/BETë fundit

Mediat greke: Macron refuzon kërkesën e Greqisë për të bllokuar shitjen e raketave Meteor në Turqi

Presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar kërkesën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për të bllokuar shitjen e raketave Meteor në Turqi, transmeton Anadolu.

Siç bëjnë të ditur mediat greke, gjatë një takimi të liderëve grek dhe francez në samitin e inteligjencës artificiale në Paris, Macron tha se ndalimi i shitjes së raketave ajër-ajër në Türkiye nuk do të ishte i mundur.

Ai theksoi se marrëveshja e raketave është përtej juridiksionit francez, pasi armët prodhohen nga konsorciumi evropian gjashtë-vendësh MBDA, ku përpos Francës, bëjnë pjesë edhe Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Spanja dhe Suedia.

Siç raportohet, Athina zyrtare synon të kontaktojë edhe vendet e tjera anëtare të konsorciumit, në një përpjekje për të parandaluar shitjen e raketave në Türkiye.

Në përpjekjet e saj për të forcuar mbrojtjen ajrore, Türkiye është e angazhuar në negociata për të blerë deri në 40 avionë EF-2000 Eurofighter, me synim të avancimit të forcave të saj ajrore përballë kërcënimeve rajonale në rritje. Raketat Meteor raportohet se janë përfshirë në paketën e propozuar Eurofighter.

Greqia kohët e fundit ka rritur prokurimet e veta ushtarake përmes programeve të ndryshme, duke përfshirë modernizimin e flotës së avionëve F-16 dhe blerjen e avionëve Rafale të prodhimit francez, të pajisur me raketa Meteor. Greqia njëkohësisht kundërshton fuqishëm shitjen e këtyre raketave në Türkiye.

Më 29 janar, ministri grek i mbrojtjes Nikos Dendias thirri ambasadorin francez dhe atasheun ushtarak në Athinë për të shprehur kundërshtimin e vendosur të vendit ndaj marrëveshjes.

Më pas, më 4 shkurt, Mitsotakis kërkoi sqarime nga Macron në lidhje me negociatat e raketave gjatë takimit të tyre në margjinat e samitit të BE-së në Bruksel.

Burimet turke raportuan se presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij francez Macron diskutuan tema të shumta gjatë një bisede telefonike të premten e kaluar, duke përfshirë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh.

 

Fraksion.com