Mbështetësit e Veliajt dje te GJKKO, Hoxha: “Nuk ishin protestues por simpatizantë”! Do shkarkohet Ilir Proda? Ja si përgjigjet ministri i Brendshëm
Mbështetësit e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj qëndruan dje përgjatë gjithë ditës para ambienteve të SPAK dhe GJKKO, teksa zhvillohej seanca për vlerësimin e masës së sigurisë. Përmes mesazheve të tyre, ata i qëndruan në krah Veliajt ndërsa akuzuan prokurorin dhe gjyqtarin e çështjes së po e mbajnë në qeli kryebashkiakun pa prova.
Partia Demokratike denoncoi mosndërhyrjen e forcave të rendit, ndërsa kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi kërkoi shkarkimin e Ilir Prodës, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Sot, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha teksa i drejtohej seancës së Kuvendit tregoi pse policia nuk ndërhyri gjatë tubimit të djeshëm para GJKKO.
Hoxha deklaroi se policia nuk ndërhyri për shkak se personat nuk ishin protestues, por simpatizantë. Ai tha se aty e pranishme ishte Garda, por punonjësit e tyre patën një moment vështirësie për shkak të grumbullimit të papritur. I pyetur nga gazetarët nëse do ta shkarkojë Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ministri shmangu komentet e drejtpërdrejta por tha: “Janë dy gjera të ndryshme, protestuesit e mëparshëm kanë qenë të lajmëruar”.
Ervin Hoxha: Në kushtet e një mase sigurie, Policia e Shtetit merr masat për të siguruar SPAK, e ka me detyrë, aty ndodhen edhe punonjësit e Gardës që ndodhen në krye të detyrës. Ata patën një vështirësi dje për shkak të grumbullimit të papritur, të personave që ishin simpatizantë dhe jo protestues. Protestuesit e mëparshëm kanë qenë të lajmëruar.
Fraksion.com