AktualitetPolitikëTë fundit

Hoxha: Në vitin 2024, numri më i ulët i veprave penale gjatë 10 viteve të fundit

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi sot një interpelancë me deputetin e Partisë Demokratike Asllan Dogjani në lidhje me punën e Policisë së Shtetit dhe situatën e krimit në vend.

Nga foltorja e Kuvendit, ministri Hoxha duke iu referuar shifrave tha se se “ka një rënie progresive të vrasjeve nga vit duke shënuar një rekord të minimumit historik gjatë dy viteve të fundit”.

“Në vitin 2024 kemi pasur 41 vrasje në vit dhe në 2023 rekordi i të gjitha kohërave, 35 vrasje në vit kundrejt 126 vrasjeve të ndodhura në 2012. Kjo është diferenca e shifrave për të gjithë shqiptaret që na ndjekin”, tha ministri.

“Sa i takon zbulueshmërisë së kësaj vepre penale për vitin që lamë pas deri në këto momente janë 86% e veprave penale, vrasje me dashje dhe 94% e rasteve të veprës penale vrasjen e mbetur në tentativë”, u shpreh ai.

“Gjatë vitit që lamë pas është regjistruar numri më i ulët i veprave penale të ndodhur gjatë 10 viteve të fundit duke shënuar një rënie 2 % krahasuar me mesataren e dy viteve të fundit dhe rënie 8% krahasuar me mesataren e 3 viteve të fundit”, tha Hoxha.

Ministri shtoi se “pjesa dërrmuese e vrasjeve të ndodhura në fundvitin e kaluar është karakterizuar nga shkaqe për motive të dobëta, kryesisht për shkaqe dhe për debate të çastit dhe momentit”.

“Ministria e Brendshme dhe policia e shtetit kanë adresuar një vëmendje të veçante për të shtuar forcat dhe sigurisë dhe mekanizmat parandaluese të sigurisë ndaj komunitetit”, tha ministri.

Hoxha shtoi, po ashtu,  se “Policia e Shtetit shumë shpejt do të implementojë projektin “Smart City”.

 

Fraksion.com