AktualitetBota+Të fundit

Donald Trump do të takohet me Putinin në Arabinë Saudite

Trump telefonoi papritur me pushtetmbajtësin rus Putin, ku u ra dakord edhe për një takim mes dy presidentëve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë, se do të takohet me presidentin rus,  Vladimir Putin për të diskutuar një zgjidhje për dhënien fund të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Takimi ndoshta do të zhvillohet në Arabinë Saudite “në një të ardhme jo shumë të largët”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Kryesisht jam marrë me presidentin Putin në telefon dhe në fund ne duam të takohemi”, tha Trump. “Herën e parë do të takohemi në Arabinë Saudite, do të shohim nëse mund të bëjmë diçka,” tha ai. Më vonë mund të ketë vizita të ndërsjella mes të dyve në vendet e tyre përkatëse. Presidenti republikan nuk dha një datë për një takim.

Trump dhe Putin folën në telefon për më shumë se një orë, u bë e ditur. Më pas presidenti amerikan informoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Trump tha se beson se Putini dëshiron paqe. E njëjta gjë vlen edhe për presidentin ukrainas. “Dua të shoh ndalimin e vrasjeve të njerëzve,” theksoi Trump. Uashingtoni dhe Moska ranë dakord të fillojnë menjëherë bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Trump shkroi në platformën e tij “Truth Social” se ai dhe presidenti rus do të bashkëpunojnë ngushtë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyj u shpreh optimist pas bisedës së zhvilluar me Trump. Në një fjalim me video, ai theksoi se beson se forca e Amerikës është mjaft e madhe për të punuar me Ukrainën dhe partnerët e saj për të detyruar Rusinë të bëjë paqe.

Sipas Zelenskyt, telefonata e tij me Trump shkoi mirë dhe në detaje të dy diskutuan mundësitë për negociata. “Ne folëm për një kohë të gjatë për mënyrat e mundshme për të arritur paqen”, tha Zelensky. Presidenti ukrainas u shpreh, se diskutoi “shumë aspekte” me Trump, ato “diplomatike, ushtarake, ekonomike”.

 

Fraksion.com