“Do t’i publikoj të gjitha”, Veliaj: Skandal i rëndë në dosjen hetimore ndaj meje
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga paraburgimi, ku ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me burg” me vendim të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi akuzohet nga prokuroria speciale SPAK për dy vepra penale.
Reagimi i Veliajt lidhet me një detaj që ai e cilëson si “skandal në dosjen e tij hetimore”. Sipas kryebashkiakut të Tiranës, prokuroria ka përfshirë në akuzë një referencë ku ai figuron si i dënuar, ndonëse dëshmia e tij e penalitetit është e pastër.
“Ky nuk është një lapsus, por një përpjekje për të manipuluar procesin ndaj meje dhe familjes sime,” tha Veliaj, duke akuzuar prokurorin Ols Dado për keqinformim të qëllimshëm.
Ai paralajmëroi se do të publikojë të gjitha gabimet dhe manipulimet e dosjes së tij hetimore.
Në sallën e gjyqit, prokurori konfirmoi se bëhej fjalë për një gabim në përpilimin e dokumenteve, por Veliaj e konsideron këtë një “lapsus frojdian” që tregon prapaskenat e procesit ndaj tij.
Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova dje në sallën e gjyqit, e shkruajtur e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado.
U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.”
Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerëz të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër.
Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.
Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes.
Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”?
Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime.
Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.
Fraksion.com