Bylykbashi: Shqiptarët jashtë të votojnë edhe me dokumente të huaja, teknikisht e mundur
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i japë mundësi të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të votojnë më 11 maj, pavarësisht se nuk kanë një kartë biometrike shqiptare por të shtetit ku jetojnë.
Duke marrë fjalën në seancën e Kuvendit, Bylykbashi tha se, “janë 4.7 milionë shtetas shqiptarë në regjistrat e gjendjes civile. 3.7 milionë janë në listën e zgjedhësve”.
“79% e gjendjes civile janë shtetas me të drejtë vote. Ndërsa llogariten rreth 150 mijë deri 200 mijë shtetas që nuk kanë dokumente biometrike shqiptare por të shtetit ku jetojnë dhe ata duhet të lejohen të votojnë. Mundësia për t’u regjistruar teknikisht është e mundur në KQZ, ju duhet të bini dakord. Të drejtën e votës duhet ta kenë të gjithë shqiptarët, me dokumente të huaja, të kenë të drejtë të votojnë. Jepini mundësi të gjithë qytetarëve të votojnë”, u shpreh ai.
Ai theksoi se, “ajo që parlamenti ka sot përpara, është përpjekje e gjatë për të bërë efektive votën e atyre nga jashtë”.
Fraksion.com