AktualitetBota+NATO/BETë fundit

Aleatët e SHBA-ve kërkojnë qartësi mbi mbështetjen për Ukrainën në Konferencën e Mynihut

Qindra udhëheqës botërore dhe delegatë do të marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, këtë fundjavë. Konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, dhe tensionet në Indo-Paqësor janë në krye të agjendës. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, e gjithë vëmendja do të jetë te qasja e delegacionit të Shteteve të Bashkuara nën administratën e re të Presidentit Donald Trump.

Lufta e Ukrainës kundër sulmit në shkallë të gjerë nga Rusia po i afrohet vitit të katërt.

Konflikti do të jetë në krye të agjendës ndërsa qindra udhëheqës botërorë dhe delegatë do të marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë, në Mynih, që fillon të premten. Është takimi i parë i nivelit të lartë në nivel global për administratën e re të Presidentit Donald Trump.

“Jemi shumë të lumtur që do të kemi një përfaqësim të fortë si të administratës së qeverisë së re amerikane ashtu edhe të Kongresit”, thotë Christoph Heusgen, drejtues i Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

Delegacioni amerikan përfshin Nën Presidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Zoti Vance pritet të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Presidenti Zelenskyy tha më herët gjatë kësaj jave se ai kishte “vizion të përbashkët” me administratën e Presidentit Trump.

“Sigurisht, mund të kemi mendime të ndryshme, por kemi një vizion të përbashkët për çështjet kryesore – se si të ndalet [presidenti rus Vladimir] Putini dhe si të ofrohet garanci për sigurinë e Ukrainës dhe ukraniasve”, tha Presidenti Zelenskyy.

Uashingtoni dëshiron që lufta të marrë fund së shpejti. Por është e paqartë se si mund të ndodhë kjo.

Në një intervistë për rrjetin televiziv Fox News të martën, Presidenti Trump tha se Ukraina – “mund të bëhet ruse një ditë, ose jo”.

Aleatët shpresojnë të ruajnë mbështetjen e Presidentit Trump për sigurinë e Evropës dhe Ukrainës, thotë analisti Charles Grant nga Qendra për Reformën Evropiane.

“Ai nuk ka kërcënuar se do të tërheqë SHBA-të nga NATO-ja. Ai nuk ka thënë se do të ndërpresë të gjithë ndihmën për Ukrainën. Një nga çështjet që do të ngrihet në Konferencën e Mynihut është se deri në çfarë pike duhet të ndihmojnë vendet europiane për të siguruar ruajtjen e paqes, në rast të një armëpushimi në Ukrainë”, thotë zoti Grant.

As Rusia dhe as Irani nuk janë ftuar në konferencën e Mynihut të këtij viti.

Kina po dërgon një delegacion të gjerë, ndërsa siguria në Azi-Paqësor zë po ashtu një rol të rëndësishëm në agjenën e punimeve të Konferencës.

Gjatë kësaj jave, marina amerikane lundroi dy anije luftarake nëpër ngushticën e Tajvanit, duke nxitur një reagim të zemëruar nga Pekini. Gjatë muajve të fundit, Kina ka shtuar aktivitetin ushtarak rreth Tajvanit. Kina e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur. Taipei e konsideron ishullin një shtet sovran.

Në Mynih, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio pritet të zhvillojë një takim trepalësh me aleatët- Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Konflikti në Lindjen e Mesme do të jetë gjithashtu në krye të agjendës. Sugjerimi që zoti Trump e ka përsëritur vazhdimisht, se palestinezët duhet të largohen nga Gaza dhe Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e territorit ka gjetur mbështetjen e Izraelit, por ka shkaktuar kritika të forta nga aleatët e tjerë, vëren zoti Grant.

“Është shumë shqetësuese dhe krijon shumë zemërim mes qeverive evropiane e shumë qeverive të tjera dhe Shteteve të Bashkuara”,thekson zoti Grant.

Po ashtu do të ketë diskutime mbi konfliktet në Sudan dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe inteligjenca artificiale do të jenë gjithashtu tema të nxehta gjatë konferencës tre-ditore./VOA

 

Fraksion.com