Aleatët e NATO-s ngulin këmbë se Ukraina dhe Evropa duhet të përfshihen në bisedime me Rusinë
Disa vende aleate të NATO-s kanë theksuar të enjten se Ukraina dhe Evropa nuk duhet të përjashtohen nga bisedimet për paqe, pasi administrata e presidentit amerikan Donald Trump sinjalizoi se synon fillimin e bisedimeve ballë për ballë me Rusinë, pa përfshirë ato.
“Të mos harrojmë, Rusia mbetet kërcënim edhe [për vendet] shumë përtej Ukrainës”, tha sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, John Healey, pasi SHBA-ja tronditi NATO-n duke thënë se Ukraina nuk duhet t’i bashkohet aleancës ushtarake dhe se aleatët evropianë duhet ta marrin përsipër ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën në të ardhmen.
“Nuk mund të ketë bisedime për Ukrainën pa Ukrainën. Zëri i Ukrainës duhet të dëgjohet në çfarëdo bisedimesh”, tha Healey për gazetarë në selinë e NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha: “Për mua është e qartë…. Evropa duhet të përfshihet në bisedime dhe mendoj se kjo mund të kuptohet lehtësisht”.
Ministrat e 32 vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur për bisedime për Ukrainën në Munih.
Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, tha se vendet evropiane siguruan rreth 60% të mbështetjes ushtarake për Ukrainën vitin e kaluar dhe duhet të jenë të përfshira, veçanërisht duke pasur parasysh kërkesat e SHBA-së që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e Ukrainës në të ardhmen.
“Është shumë e natyrshme që ne të angazhohemi në këto diskutime”, tha Jonson.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se pavarësisht se çfarë marrëveshje arrihet mes Rusisë dhe Ukrainës, është jetike që “marrëveshja e paqes të jetë e qëndrueshme, që Putini ta kuptojë që ky është fundi, që ai të mos tentojë kurrë më ta kapë asnjë pjesë të Ukrainës”.
Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, theksoi se Bashkimi Evropian ka udhëhequr vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, ka investuar shumë në mbrojtjen e Ukrainës dhe do t’i kërkohet të mbulojë faturën për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.
“Ne duhet të jemi aty. Pra, nuk ka asnjë dyshim për këtë. Përndryshe, kjo paqe nuk do të zgjasë”, paralajmëroi Pevkur.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha mbështetësve perëndimorë të Ukrainës të mërkurën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është i mundur. Ai gjithashtu tha se Kievi duhet të heqë dorë nga shpresat për ta rimarrë të gjithë territorin e tij nga Rusia dhe në vend të kësaj të përgatitet për një marrëveshje të negociuar për paqe, e cila do të mbështetej nga trupa ndërkombëtare.
Pasi bisedoi me Putinin dhe më pas me Zelenskyn, Trump tha të mërkurën se ai “ndoshta” do të takohet personalisht së shpejti me liderin rus dhe sugjeroi se takimi mund të ndodhë në Arabinë Saudite./REL
Fraksion.com