AktualitetPolitikëTë fundit

Zbardhen diskutimet në seancë, Veliaj: Mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend

“Mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë”, kështu mësohet të jetë shprehur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në seancë gjyqësore.

Më tej, ai ka thënë se i ka hyrë në hak familjes duke shtuar se ka punuar edhe për festa e të shtunave e të dielave. Veliaj ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga organi i akuzës duke thënë se edhe sot nuk ka marrë shpjegim se pse është arrestuar.

Erion Veliaj: Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë jam kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës kam bërë detyrën time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diele edhe për festa kam punuar. Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot.

Ai po ashtu ka mbrojtur bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, për të cilën ka thënë se sipas tij, “është ndjekur në mënyrë perverse”. Kjo ka sjellë reagimin e prokurorit, i cili i ka kërkuar Veliajt që të ruajë etikën në komunikim, gjë që ka pasuar në replika mes tyre.

Erion Veliaj: Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës tim dhe se bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime dhe nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes. Bashkëshortja ime është kryezonjë dhe është përndjekur në mënyrë perverse.

(Në këtë moment ka ndërhyrë prokurori qe i ka kërkuar të ruajë etikën në komunikim)

Erion Veliaj-prokurorit: Pse të dogji, nuk përmenda emra dhe me këtë fjali kam parasysh median e politikën.

Prokurori: Sepse i ke shkruar në “Facebook”, këtu nuk je në “Facebook”, ndaj përmbahu provave dhe fakteve. Të gjitha veshjet kishin kod unik dhe ishin veshje personale buzëkuq dhe bizhuteri.

Sjellim në vëmendje se prej orësh në GJKKO po shqyrtohet masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe biznesmenëve. Avokatët e Erion Veliajt kanë kërkuar lirimin e tij nga qelia kundrejt garancisë pasurore. Kurse Ajola Xoxa ka kërkuar ndryshimin e masës arrest në shtëpi, në detyrim paraqitje.

 

Fraksion.com