Shtetet Baltike shkëputen nga varësia ruse e energjisë
E diela e kaluar shënoi nisjen e një epoke të rë për shtetet Baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, të cilat i dhanë fund varësisë ndaj rrjetit elektrik rus 10 muaj më herët nga ç’ishte planifikuar. Fikja e rrjetit është më së shumti simbolike, pasi të trija vendet nuk kanë blerë energji elektrike ruse ose bjelloruse që nga maji i vitit 2022. Konsumatorët nuk do të vërejnë asnjë ndryshim dhe s’do të përjetojnë raste ndërprerjesh.
Për të përforcuar sistemet e tyre të elektricitetit, shtetet Baltike janë lidhur gradualisht me rrjetin e përbashkët të sinkronizuar “Continental Europe”, rrjeti i dytë më i madh në botë, pas Kinës. Ato janë shtetet e fundit të BE-së që i bashkohen këtij sistemi, i cili përfshin gjithashtu Turqinë, Ukrainën dhe Moldavinë.
Historisë së përbashkët sovjetike i erdhi fundi
Për më shumë se pesë dekada, shtetet Baltike kanë qenë shtete satelit (vende që zyrtarisht janë të pavarura por kontrollohen politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht nga një shtet tjetër) të ish-Bashkimit Sovjetik. Një ndër anomalitë historike nga ato kohëra është rrjeti i përbashkët i energjisë elektrike, i quajtur “BRELL”.
Rrjeti i transmetimit të energjisë lidh sistemet e energjisë elektrike të Rusisë, përfshirë këtu eksklavën e Kaliningradit, Bjellorusinë dhe tri shtetet e Baltikut. Emri “Brell” është formuar nga inicialet e këtyre vendeve.
Bashkimi Sovjetik e njohu pavarësinë e rajonit të Baltikut në vitin 1991. Hapja ndaj Europës dhe Bashkimit Europian ishte qëllim strategjik për shtetet Baltike. Megjithatë, shkëputja nga një rrjet i integruar energjitik kërkon kohë.
Të trija këto shtete iu bashkuan BE-së dhe NATO-s në vitin 2004. Gjithashtu përdorën Euron si monedhën e tyre zyrtare. Por me një popullsi prej 6.1 milionë banorësh në total, shtetet e Baltikut janë të vogla krahasuar me shtete gjigante europiane si Gjermania që ka më shumë se 84.5 milionë banorë ose Poloninë fqinje, me mbi 38 milionë banorë.
Kaspars Melnis, ministri letonez për klimën dhe energjinë, thotë se shtetet Baltike janë “treg i vogël i energjisë elektrike” por projekti i shkëputjes lidhet me “mbrojtjen, sigurinë energjitike, pavarësinë dhe ekonominë”. “Ngjarjet e fundit në Ukrainë kanë treguar se vendimi për t’u ndarë nga e kaluara është i duhuri” – thotë ai për DW. Melnis nuk pret që dalja nga sistemi BRELL të ndikojë tek çmimi i energjisë elektrike. Gjithashtu, mundësitë e reja që vijnë nga energjia e rinovueshme nënkuptojnë çmime më të ulëta deri në fundin e këtij viti, sqaron ministri.
‘Varësia ishte dobësi’
Duke i vënë të gjitha bastet mbi rrjetin energjitik të BE-së, tri shtetet po tregojnë lidhjen e tyre të fortë me Unionin dhe distancimin nga Rusia dhe e kaluara e tyre sovjetike.
Që nga pavarësia, Lituania, Letoniadhe Estonia kanë qenë të kujdesshme ndaj Rusisë dhe ndikimit të saj në rajon. Pas pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2022, Moska e pezulloi gazin natyror dhe shënjestroi infrastrukturën energjitike ukrainase, duke detyruar Baltikun që të shkonte drejt mundësive të tjera.
Kristine Berzina, drejtuese e projektit gjeostrategjik të Veriut në Fondin Marshall të Gjermanisë, thotë se para luftës shumë vende të rajonit nuk ishin të sigurta nëse shkëputja nga rrjeti dhe sistemi rus i energjisë ishte gjëja e duhur për t’u bërë.
“Qytetarëve nuk u pëlqen të paguajnë fatura më të larta energjie dhe politikanët e kanë të vështirë të shpjegohen kur ndryshojnë diçka që po funksionon mirë” – i tha ajo DW. Por armiqësia ruse e detyroi Baltikun të marrë masa për të siguruar një tjetër rrjet të pandërprerë të energjisë elektrike. “Ato ishin të lidhura me një kundërshtar i cili pretendon ende se shtetet e Baltikut nuk duhet të ekzistojnë dhe kjo lidhje i bëntë ato vulnerabël” – thotë Berzina. Kësaj situate iu shtuan edhe aktet e dyshuara të sabotazhit ndaj kabllove nënujore në detin Baltik, episode të cilat çuan Europën dhe NATO-n drejt mbikqyrjes së shtuar detare.
Lidhjet me Poloninë dhe Skandinavinë
Lidhja kryesore e Baltikut me rrjetin e BE-së do të jetë përmes linjës së transmetimit “LitPol Link”, që lidh Poloninë me Lituaninë, shtete të cilat ndajnë edhe kufirin e përbashkët. Të trija shtetet janë gjithashtu të lidhura edhe me tregun skandinav të energjisë elektrike, treg i cili funksionon më vete. Lituania ka një lidhje nënujore me Suedinë e cila quhet “NordBalt”, ndërsa Estonia ka dy lidhje nënujore me Finlandën – Estlink 1 dhe Estlink 2 – dhe një lidhje e tretë pritet të përfundojë brenda vitit 2035.
Gjithsesi, Estlink 2 u dëmtua gjatë dhjetorit të kaluar, duke pakësuar në mënyrë drastike ndërveprimin mes Estonisë dhe Finlandës. Një ditë pas incidentit, Komisioni Europian me anë të një deklaratë tha se një anije e flotës ruse ishte përfshirë në histori. “Si rezultat i ‘de-rusifikimit’ të burimeve dhe lidhjeve energjitike, konkurrenca në sektorin energjitik është bërë shumë e fortë gjeopolitikisht” – tha Berzina. /DW
Fraksion.com