Rijetësimi i sheshit “Nënë Tereza”, Rama: Pa ndikim mbi strukturën, plotësisht miqësor me mjedisin dhe njerëzit
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e prezantimit të projektit për rijetësimin e sheshit “Nënë Tereza” me një oaz të gjelbër kushtuar librit dhe një hapësirë dedikuar publikut.
Rama e cilësoi me rëndësi që ky projekt i mirëmenduar dhe cilësor ka mbrapa një mjeshtër që pavarësisht moshës së re është një ndër arkitektët më të talentuar të gjeneratës së tij sot në botë, të mund të bëhet realitet.
“Së pari, – theksoi Rama, – është e rëndësishme që projekti është tërësisht i disponueshëm për t’u bërë i disponueshëm, pra nuk është një ndërtim me një impakt mbi strukturën e sheshit, por është një instalim i jetueshëm, miqësor plotësisht me mjedisin dhe njerëzit që në çdo moment mund të spostohet diku tjetër”.
“Besoj që në këtë fazë është gjëja e duhur. Besoj që një fazë e dytë do të duhet të parashihet për të marrë parasysh edhe shkallët rreth e rrotull, të cilat prej shumë e shumë vitesh praktikisht janë të braktisura për shkak ekzaktësisht të asaj që tha Frida më parë që në vend që të jetë një hapësirë që e fton njeriun është në fakt një udhëkryq ku makinat dhe njerëzit thjesht të kalojnë dhe nëse modulet e zemrës së sheshit do të shtriheshin edhe tek shkallët në të 4 anët dhe do të krijonin mundësi për të mikpritur shumë më tepër njerëz dhe për t’iu ofruar shumë më tepër fëmijëve, familjeve, atë intimitetin dhe atë perden ndarëse nga trafiku do të ishte shumë mirë”, tha Rama.
Ndërkohë, shtoi Rama, “në një fazë tjetër sheshi do të duhet të hyjë tek zinxhiri i projekteve të mëdha për parkimet nëntokësore. Gjë që absolutisht nuk përjashton rikthimin e instalimit përsëri po aty. Ndërkohë që instalimi mund të përdoret kudo, është fleksibël dhe kjo është e mira e tij. Madje unë mendoj që ky modul mund të përdoret edhe në sheshe të tjera të lagjeve të Tiranës për t’i dhënë më shumë mundësi jetës këmbësore urbane”.
Ndërkohë , shtoi Rama, “përpara disa ditësh, i madhi dhe i pa me asnjë të krahasuarin kur shkruan Fan Noli në përkthimin e Don Kishotit, Fate Velaj më erdhi në zyrë së bashku me një artist shumë të njohur bashkëkohor, Lorenzo Quinn, i cili është autori, besoj që kush është pak i interesuar për botën e sotme të artit dhe të arkitekturës nuk ka sesi se ka parë, është autor i atyre dy duarve që dalin nga uji dhe mbajnë një “mur” në Venecia”.
“Dhe bëmë një diskutim për të imagjinuar duart e Nënë Terezës në mes të sheshit, por në një përmasë shumë të madhe, sikundër janë edhe duart e tij atje në Venecia, por në një kontekst tjetër. Ai e pa sheshin dhe u bë shumë entuziast për këtë ide. Por janë faza të tjera që patjetër lidhen me zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës në këtë zonë”, tha Rama.
Fraksion.com